Mbretëria e Bashkuar ka sanksionuar 25 persona të përfshirë në rrjete të trafikimit të qenieve njerëzore, si pjesë e një regjimi të ri global që synon migrimin e parregullt dhe krimin e organizuar të migracionit. Në mesin e të sanksionuarve është dhe shqiptari Bledar Lala, drejtues i një organizate që trafikonte njerëz nga Belgjika.
Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë britanike, Bledar Lala kontrollon një rrjet kontrabande që dërgon emigrantë nga Belgjika përmes Kanalit Anglez, duke shfrytëzuar metoda të rrezikshme e të paligjshme për të kaluar kufijtë. Ai është identifikuar si një nga figurat kyçe të trafikimit ndërkombëtar të njerëzve, duke përfshirë rolin e ndërmjetësimit logjistik dhe të sigurimit të udhëtimeve ilegale nga Europa drejt brigjeve britanike.
Sanksionet që kanë hyrë në fuqi ditën e mërkurë përfshijnë ngrirjen e aseteve financiare, ndalimin e udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndalimin e çdo bashkëpunimi ekonomik me entitete ose persona brenda juridiksionit britanik. Si pasojë, Bledar Lala nuk mund të ketë qasje në llogari bankare ose pasuri që ndodhen në territorin britanik apo që administrohen nga shtetas dhe kompani britanike, dhe i ndalohet përjetësisht hyrja në Mbretëri.
Bledar Lala nuk është rasti i vetëm nga rajoni i Ballkanit. Sanksionet përfshijnë gjithashtu drejtues të bandave nga Serbia, Mali i Zi dhe organizata të fuqishme afrikano-veriore që veprojnë në Ballkan, si dhe kompani aziatike që furnizojnë varka të vogla për trafik njerëzish. Rrjeti i Lalës, sipas autoriteteve, ka qenë veçanërisht aktiv në organizimin e kalimeve të rrezikshme në Kanalin Anglez, ku shpesh emigrantët transportohen me gomone të mbipopulluara në kushte ekstreme.


