I dyshuari si kreu i një grupi kriminal që përdorte emigrantë shqiptarë të trafikuar për kultivim kanabisi është arrestuar pas një operacioni nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Britaninë e Madhe.
Sipas raportimeve, në një operacion të koordinuar nga oficerët e Policisë së Uellsit të Veriut, një tjetër person rreth të gjashtëdhjetave është vënë në pranga si dhe një shqiptar, 28 vjeç.
Treshja u arrestua me dyshimin për komplot për kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit dhe pastrim parash. Besohet se grupi i krimit ka lidhje me një rrjet të Ballkanit Perëndimor që lehtëson hyrjen e paligjshme të shtetasve shqiptarë në Britaninë e Madhe.
Në kuadër të hetimit u zbuluan tre ferma kanabisi në të cilat punonin emigrantë shqiptarë. Tre fermat ishin në Blackpool, Lancashire; Leigh, Greater Manchester dhe Prestatyn. Tashmë policia ka shpallur në kërkim Jeton Memian, 29 vjeç dhe për një shtetas tjetër britanik.
Gjatë kontrolleve të lidhura me arrestimet e djeshme, policia gjeti dhe sekuestroi disa gomone, një sasi kokainë, crack dhe kanabis dhe pajisje që përdoren në fermat e kanabisit.
Autoritetet thanë në një deklaratë: “Ky është një hetim kompleks ndaj grupeve të krimit të organizuar që kanë drejtuar ferma kanabisi në të gjithë vendin dhe u kanë krijuar mundësitë emigrantëve të paligjshëm në Britaninë e Madhe që të punojnë në to.” /abcnews.al/