Trafikonin drogë nga Spanjë në Itali/ Lëshohen 58 urdhër ndalime, mes tyre dhe shqiptarë

schedule12:35 - 17 Tetor, 2023

schedule 12:35 - 17 Tetor, 2023

Një megaoperacion i Antimafias Italiane në bashkëpunim me Guardia di Finanza është ekzekutuar mëngjesin e sotëm mes Italisë e Spanjës, sipas mediave të huaja.

Me urdhër të Prokurorisë së Milanos janë ekzekutuar 58 urdhër ndalime, 46 nën urdhër arrestimi, 33 në burg, 13 në arrest shtëpiak e 12 të shënuar në regjistrin e personave nën hetim.

Urdhër ndalimet janë kryer në territoret e provincës së Milano, Bergamo, Brescia, Monza, Varese, Mantova, Torino, Alessandria, Asti, Prato, Roma, Teramo, Catania, Salerno e në Spanjë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, riciklimit të parave të ardhura nga trafiku i drogës e mashtrim fiskal.

Grupi i narkotrafikantëve përbëhet nga shtetas italianë, spanjollë, shqiptarë e kinezë. Sipas hetimeve, janë trafikuar 30 tonë marijuanë e hashash me vlerë fitimi rreth 42 milionë euro e një xhiro parash cash prej 26 milionë euro brenda një viti.

Transferimi i parave në Spanjë kryhej përmes sistemeve bankare ilegale të menaxhuara nga shtetas kinezë që përdoreshin si qendra grumbullimi parash e që dërgoheshin në mënyrë të shpejtë, anonime, të pagjurmueshme e përmes një mekanizmi informal.

Pronarët kinezë të aktiviteteve tregtare në Spanjë merrnin paratë përmes një interesi 1.5-2%  për çdo transfertë.

E veçanta e këtij hetimi është se ka dokumentuar se si paratë e fitura nga trafiku i drogës përdoreshin nga evazorë fiskalë duke kryer një përzierje të krimit ekonomik me krimin ordiner përmes fitimeve të paligjshme e me vlerë miliona euro.

Në zotërim të anëtarëve të këtij grupi narkotrafikantësh janë sekuestruar në Lombardi e në rajonet veriore italiane 10 kompani biznesi, 52 pasuri të patundshme e llogari bankare me vlerë financiare 9 milionë euro.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!