Trafik ndërkombëtar droge në Holandë, Shqipëri, Panama, Brazil, arrestohen 25 persona në Itali

schedule16:53 - 30 Tetor, 2020

schedule 16:53 - 30 Tetor, 2020

25 persona janë arrestuar paraditen e sotme në Itali në provincat e Salerno, Napoli, Avellino, Caserta, Brescia, Taranto, Parma dhe Firence gjatë operacionit të koduar “Fakiri”.

Akuzat e 25 të arrestuarve (2 prej të cilave u lanë në arrest shtëpie) janë: organizatë kriminale që synon trafik ndërkombëtar droge, posedimin dhe trafik droge, regjistrimin fiktiv të mallrave, pastrimin e parave, mashtrim për marrjen e fondeve publike.

Nuk bëhet i ditur nëse mes të arrestuarve ka edhe shtetas shqiptarë.

Operacioni u krye nga rreth 300 specialë të krimit kundër organizatës kriminale dhe antidrogës të Komandës Provinciale të Karabinierëve të Salerno.

Siç raportojnë mediat italiane në krye të organizatës kriminale është italiani Fiorenzo Parotti i cili merrej me organizimin e trafikut të drogës (kryesisht kokainë, pa lënë pas dore edhe hashash dhe marihuanë) të cilat siguroheshin nga organizata të tjera kriminale, përfshirë ato në Holandë, Shqipëri, Panama, Brazil.

Shkurtimisht, Parotti kishte krijuar një organizatë kriminale me role dhe kompetenca të mirë përcaktuara, si dhe burime të konsiderueshme financiare dhe kanale të ndryshme të furnizimit me drogë.

Gjatë hetimit, i cili filloi në vitin 2017, 8 persona janë arrestuar tashmë, janë sekuestruar 25 kilogramë drogë, dhe mbi 160 mijë euro para në dorë. U sekuestruan gjithashtu dy aktiviteteve tregtare në Salerno, një lavanderi dhe piceria e mirënjohur Salerno “‘a Puntella”, dhe një shumë totale prej 165 mijë eurosh, produkt i veprimtarisë së paligjshme të të dyshuarve.

Vetë piceria ishte rezultat i një kredie prej 70,000 € të marra më anën e mashtrimit si pjesë e projektit “Pushime në Jug“.

Hetimet, përfshirë ato bankare, kanë konstatuar se të ardhurat e veprimtarisë kriminale janë riinvestuar në aktivitete ekonomike dhe tregtare, pas pastrimit të parave përmes kalimit në llogaritë rrjedhëse të njerëzve të pajtueshëm, në qëllim që të fshehin dhe e bëjnë të pamundur identifikimin.

Siç u theksua nga kryeprokurori Publik i Salerno, Giuseppe Borrelli gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar së bashku me kolonelin e Carabinieri Trombetti, hetimi ishte veçanërisht kompleks pasi shumë nga subjektet e hetuara, për të kryer trafikimin e tyre të paligjshëm, përdornin karta telefonike të paidentifikuara dhe telefona inteligjentë të pajisur me aplikacione të mesazheve encrochat që janë të vështira për tu përgjuar.

n.d./abcnews.al