Tradita shekullore e tezgjahut/ E mësoi zanatin nga e ëma, 52-vjeçarja kërkon ta trashëgojë

schedule15:49 - 2 Shkurt, 2025

schedule 15:49 - 2 Shkurt, 2025

Çdo fije e kalon nëpër duar. Ajo është artizania e vetme e fshatit Prezë, pak kilometra larg Tiranës.

Punën me tezgjah Drita Gordi e trashëgoi nga nëna e saj.

E nisi 30 vjet më parë, pasi ishte martuar dhe bërë nënë e tre fëmijëve.

“Para se të nisja të punoja këtu bëra një vizitë dhe dola për syze. Burri më dha para që të shkoja të bëja syzet, unë vajta bleva penj, material për punë. Nuk i jam ndarë në asnjë moment”.

Traditën shekullore të grave shqiptare, Drita e ktheu në biznes. Me orë të tëra ajo punon në tezgjah. Punimet e saj janë nga më të ndryshmet.

 “Mbulesa tavoline, çarçafë, ka kërkesa. Fillimi ka qenë vetëm për vete, biznesi erdhi mbrapa, ne e kemi pasur traditë për të bërë pajen e fëmijeve”.

Punimet artizale që ajo realizon në tezgjah, i tregton në punishten e saj të vogël. Interesi për traditën e vjetër është rritur sërish, ndërsa turistët e huaj që vizitojnë Prezën janë ata që bëhen më shumë kuriozë për mënyrën sesi ajo punon.

“Iu duket pune e veçantë, vijnë ketu dhe me shohin me përpikmeri, si ka mundësi që këtë fijen e perit ta besh copë”.

Puna që bën thotë se është shumë e bukur, por kërkon shumë përkushtim.

“Fijet duhet te vine ne uniform te gjitha, te rrihet pelhura mire”.

Tezgjahu që ajo punon është shumë i vjetër, 52 vjeçarja ia mori nënës së saj, e cila gjithashtu e kishte të trashëguar. Kujton sa shumë e gëzoi nënën, kur i kërkoi t’i merrte tezgjahun.

“Kënaqej, thoshte shyqyr qe ia lash në trashegimi. Kjo tezgjah është e nënës time, ajo ia ka trasheguar nënes së vet. Jane tre breza që punojne. Kur i mora unë tha shyqyr”.

Zanatin që e mësoi nga nëna, Drita dëshiron ta trashëgojë.

“Qejf kam te ma ruajne kete zanat, sic ia ruajta une nenes time. Keshtu iu them vajzave, e mesoni”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!