Sot shkoi në katër numri i personave që janë arrestuar për vrasjen e babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në 15 gusht 2012, nga Jorgo Leku në bashkëpunim me Etien Canin dhe Ervis Bardhin. I arrestuari është shoku i tyre, Klajdi Dukoli.
Por si u arrestua Dukoli sot në Elbasan nga Forcat Operacionale?
“ABC” mëson se ka qenë bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, i cili është zbërthyer përpara grupit hetimor duke treguar emrat e bashkëpunëtorëve në kryerjen e vrasjes së bujshme 8 vite më parë. Pas dëshmisë së Bardhit, i cili ndryshe nga Cani pranoi që të fliste, policia arrestoi Dukolin.
Por cili ishte roli i Dukolit në vrasjen e dyfishtë?
Ervis Bardhi ka deklaruar se Dukoli përpara dhe deri në momentin e kryerjes së vrasjes ka qenë në rolin e informatorit, vëzhguesit në emër të familjes Çapja lidhur me lëvizjet e familjes Beqiri. Akuza e Elbasanit po kryen veprime të tjera që mund të hedhin dritë për të tjerë të përfshirë që mund të shkojnë pas hekurave.
Por si u krye vrasja?
Etien Cani dhe Ervis Bardhi kishin besën e familjes Beqiri për të hyrë brenda shtëpisë, por i tradhtuan duke u çuar vrasësin. Dy të besuarit trokitën, Nezir Beqiri hapi derën dhe Jorgo Leku i ekzekutoi.
Klajdi Dukoli njihet si mik i familjes Çapja, e cila u përfshi në konflikt me familjen Beqiri, pasi Gentiani dyshohej si i përfshirë në ekzekutimin e Sokol Çapes në 2005. Për këtë arsye, ai qëndronte prej 2 vitesh në arrest shtëpie pasi kishte dalë nga burgu ku kishte kryer disa vite, por u vra.
db/Abcnews.al