Një kosh në sekondën e fundit i dha kualifikimin Torontos për në finalen e Konferencës Lindore në basketbollin amerikan. Leonard shënoi 41 pikë dhe vendosi fatin në favor të skuadrës vendase.
Asnjëra nga skuadrat nuk donte të eliminohej.
Nuk kishte rëndësi fusha, por vetëm fakti se luhej ndeshja e fundit dhe përcaktuese për kualifikim, në gjysmëfinalen e Konferencës Lindore në NBA.
Toronto Raptors ndaj Filafelfia Siksërs në Arenën kanadeze u kthye në një duel historik, ku dy rivalët shkuan pikë më pikë, në kërkim të fitores.
Gjithsesi, pati një ndryshim në duelin e shtatë, ndërsa rezultati ishte I barabartë 3-3.
Filadelfia luajti si ekip, ku pesë lojtarët e formacionit ishin thuajse të barabartë në parket, ndërsa vendasit u mbështetën thjesht dhe vetëm tek ylli kryesor, Koui Leonard.
Basketbollisti me numrin 2 në fanellë, bëri diferencën duke shënuar 41 pikë, e duke pasur edhe 8 topa në tabela, 3 asistë dhe 3 vjedhje topi.
Ish-lojtari i San Antonios nuk është se nuk gaboi, përkundrazi shpesh nuk ishte i saktë në gjuajtjet e tij, por e nderoi këmbëngulja për t’i shkuar sfidës deri në fund.
Shokët e tij bënë më pak, edhe pse Siakam, Ibaka apo Mark Gasol u përpoqën mjaft.
Në krahun tjetër, Filadelfia mbajti ndeshjen në baraspeshë me pesëshen kryesore, të përbërë nga Embijd, Batler, Harris, Redik dhe Sajmëns.
Embijd ishte më I miri prej tyre me 21 pikë, 11 topa në tabela e 4 asistë.
Ndeshja po I drejtohej shtesës, në rezultatin 90-90, kur Leonard e provoi për herë të fundit.
Arena shpërtheu me entuziazëm kur topi hyri në kosh, pikërisht ndërsa binte sirena, me Toronton të kualifikuar.
Ishte hera e parë që një kosh shënohej në sirenë, gjatë një gjysmëfinaleje të konferencave në historinë e NBA-së.
Tashmë, u përcaktuan finalet, dhe në Lindje do të luajë Miluoki ndaj Torontos, e në Perëndim, Golden Stejti kundër Portlendit, që eliminoi Denverin po në ndeshjen e shtatë, madje jashtë fushe./ABC News Albania 24/7