Lionel Messi fitoi për të gjashtën herë “Topin e Artë”, duke lënë pas tij Virgil Van Dijk. Në lidhje me vendimin e marrë nga “France Football” ka folur edhe trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp. Gjermani vlerëson argjentinasin, por ka diçka për të thënë në lidhje me lojtarin e tij.
“Vendimet merren nga gazetarët, kështu është ë? E shoh pak më ndryshe. Lionel Messi është ndoshta lojtari më i mirë që mund të kem parë në jetën time, por sezonin e fundit nuk mbaj mend një sezon më mbresëlënës të bërë nga një mbrojtës ndonjëherë”, është shprehur Klopp, i cili edhe më parë është shprehur se Van Dijk e meriton “Topin e Artë”.
Në fund të muajit nëntor ai e shprehu hapur mendimin e tij, teksa deklaronte: “Nëse ‘Topi i Artë’ është për futbollistin më të mirë të kësaj gjenerate, atëherë ky trofe duhet t’i jepet gjithmonë Leo Messit. Ky është fakt dhe nuk ekziston asnjë dyshim.
Por nëse çmimi i jepet futbollistit më të mirë të sezonit të kaluar, fituesi i ardhshëm duhet të jetë Virgil Van Dijk. Nuk e di si do të zgjidhet kjo çështje, por ky është mendimi im në lidhje me çmimin. Messi mbetet futbollisti më i mirë absolut, por më i miri i sezonit të kaluar është padyshim Van Dijk”. /abcnews.al