“Topa me 50-çe”, gjenden para në makinën e bllokuar nga demokratët në Dibër

schedule16:42 - 22 Prill, 2021

schedule 16:42 - 22 Prill, 2021

Në makinën e bllokuar nga mbështetësit e Partisë Demokratike në Dibër janë gjetur para. Rasti u denoncua fillimisht nga kandidati demokrat Luan Haka.

Mbështetësit kanë bllokuar mjetin në të cilin ndodheshin dy të rinj, pasi ishin  sinjalizuar se këta të fundit po shpërndanin para në zonën e Maqellarës në këmbim të votës.

Në vendngjarje ka mbërritur policia për të bërë kontrollin e mjetit. Efektivi i Policisë ka vendosur disa piketa provash, ndërsa personi që filmon gjithçka live dëgjohet teksa thotë se kanë gjetur “topa me 50-çe”.

Pas bllokimit janë grumbulluar qindra simpatizantë të PD, dhe kanë mbajtur të bllokuar makinën bashkë me personat që ishin në të deri sa erdhi policia.

Prokurorja urdhëroi kontrollin fizik të personave dhe të mjetit ku u gjetën një sasi e konsiderueshme parash kartëmonedha 5000 dhe 2000 lekë, si dhe plot karta identiteti. Mësohet se shuma e parave është gjetur në kroskotin e mjetit të bllokuar.

Në vendngjarje ishte edhe një mjet tjetër në pronësi të administratorit të Maqellarës. Prokurorja vendosi sekuestrimin e makinave dhe parave, ndërsa 2 personat u shoqëruan në komisariat. g.v/abcnews.al