Portieri i Kombëtares Shqiptare, Tomas Strakosha, u vlerësua si më i mirë i Lacios në ndeshjen e fundit të Serisë A. Gjithsesi, ai nuk e shmangu dot humbjen, dhe pati kritika për mentalitetin e skuadrës.
Nuk ishte derbi shqiptar, por kjo nuk e pengoi. Më shumë, Tomas Strakoshës i prishi punë mentaliteti i skuadrës së tij, që mesa duket, nuk i përballon dot sfidat e mëdha të Serisë A.
Portieri i Kombëtares Shqiptare u dallua fort në sfidën e Lacios në fushën e Napolit, por gjithë përpjekjet e tij shkuan dëm. Kryeqytetasit humbën 1-2 në “San Paolo”, edhe pse Strakosha u shpall lojtari më i mirë i të vetëve. Hoze Kajehon dhe Arkadiush Milik ishin autorët e golave për vendasit, ndërsa i përhershmi Çiro Imobile shkurtoi diferencën për miqtë.
Reagimin e Lacios e pengoi edhe dalja me karton të kuq e Açerbit, 20 minuta para fundit, por Strakosha mendon se problemi është një tjetër.
“Ndaj skuadrave të mëdha nuk arrijmë të luajmë siç duhet, të bëjmë lojën tonë, – u shpreh portieri pas ndeshjes, – duhet ta analizojmë këtë humbje dhe të bëjmë kthesë. Napoli është shumë i fortë, por edhe ne kemi gabimet tona, por ndaj Juventusit duhet të jemi ndryshe, pasi luajmë edhe para tifozëve tanë”.
Strakosha u shpëtua edhe nga shtyllat, që Napoli i goditi tri herë.
Humbja e dëmton rëndë shpresën e Lacios për t’u kualifikuar për në Champions sezonin e ardhshëm, madje kështu siç është renditja në Serinë A, mund të rrezikojë edhe vendin në Ligën e Europës.
Tek Napoli, ndërkaq, Elseid Hysaj sërish nuk pati mundësi për të luajtur titullar. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare hyri në fushë vetëm 17 minuta para fundit. /abcnews.al