Tomas Strakosha është në formën më të mirë të mundshme në prag të dy ndeshjeve të kombëtares në Ligën e Kombeve. Numri 1 i Lacios nuk lejoi Kristiano Ronaldon që të shënonte gol.
Portieri që ndaloi penalltinë e Paulo Dibalës vitin e kaluar, u bë barrikadë për Kristiano Ronaldon këtë herë.
Tomas Strakosha tregoi vlerat e tij duke mos lejuar portugezin “e artë” që të shënonte golin e parë në Serinë A, edhe pse luajti ndeshjen e dytë në të.
Gardiani i ri i portës, për fat, po shkon në formën e duhur, në dy ndeshjet e ekipit tonë përfaqësues në Ligën e Kombeve në shtator.
Gjithsesi, numri 2 i kombëtares shqiptare nuk mundi të ndalonte Juventusin, dhe të shpëtonte Lacion në stadiumin “Alianc Arena” të Torinos.
Ishin Miralem Pjaniç e Mario Manxhukiç që realizuan golat e suksesit 2-0 të kampionëve, që me 6 pikë në dy takime, janë në rrugë të mbarë për të ruajtur titullin e fituar 7 herë radhazi.
Strakosha ndaloi gjuajtjet e rrezikshme të Bernardeskit, dhe dy herë të Ronaldos, duke merituar lavdërime.
Lacio e nisi më mirë ndeshjen, duke krijuar dy raste për të shënuar, por nuk ia doli deri në fund, ashtu siç i ka ndodhur shpesh në fushën e një skuadre superiore në aspektin teknik dhe në përvojë.
Me siguri, kryeqytetasit kanë ndjerë edhe përkeqësimin e raportit mes trajnerit Simone Inzagi dhe presidentit Lotito, të cilët u përplasën ashpër pak ditë më parë.
Ronaldo, ndërkaq, të kërkojë tani të shënojë në ndeshjen e tretë të tij në Serinë A, ndërsa Juventusi i Masimiliano Alegrit shkon të luajë në fushën e Parmës, ekipit të sapongjitur nga kategoria. /abcnews.al