Tom Bredi thyen rekord, fiton titullin kampion

schedule18:24 - 4 Shkurt, 2019

schedule 18:24 - 4 Shkurt, 2019

Tom Bredi u bë lojtari me më shumë tituj kampion në futbollin amerikan. Ylli 41-vjeçar triumfoi për herë të gjashtë në finalen e SuperBoulit zhvilluar në stadiumin e Atlantës

Ishin dy nga njerëzit më të lumtur të planetit në mbrëmjen amerikane të stadiumit “Mercedes Benz” në Atlanta.

Tom Bredi dhe Bill Beliçik, ylli në fushë dhe ylli në stol, ia dolën të ishin për herë të gjashtë në karrierë kampionë të futbollit amerikan, me skuadrën e tyre Nju Inglënd Patriots (New England Patriots).

Finalja ndaj Los Anxhelos Ramsit përfundoi 13-3, rezultati më i ulët i të gjitha kohëve, por për Bredin dhe Beliçikun rëndësi pati fakti se barazuan rekordin e Superboulit mbajtur nga Pitsburg Stilers, me 6 tituj.

Natyrisht, futbolli amerikan ka nisur më përpara sesa Superbouli, që në vitin 1920, dhe rekordet absolute mbahen nga të tjerë.

Grin Bej Pakers kanë 13 tituj, Çikago Bers kanë 9 dhe Nju Jork Xhajënts janë në vend të tretë me 8.

Bredi, gjithsesi, është një yll i padiskutueshëm, i tillë që shkëlqeu që prej vitit 2000 kur hyri në NFL.

Ai mban rekordin si lojtari i vetëm që ka fituar 6 tituj në futbollin amerikan, dhe prej gati dy dekadash mbetet ylli kryesor I njërit prej sporteve më popullorë në Shtetet e Bashkuara.

Po ashtu, Patriotsët vazhdojnë të jenë skuadra më e mirë e shekullit të 21-të, me diferencë nga rivalët, edhe pse liga e futbollit amerikan është tepër e fortë.

Nuk dihet edhe sa vjet të tjera Bredi do të vazhdojë të luajë, dhe nëse do të arrijë të jetë në nivel të lartë, por ai do të përpiqet të thyejë rekorde të tjera./abcnews.al