Toli: Dede na ka dhënë besim! Tirana e fortë, fiton shumë shpejt

schedule15:14 - 28 Nëntor, 2020

schedule 15:14 - 28 Nëntor, 2020

Ardit Toli është një prej lojtarëve të afruar te Tirana në merkato. Mbrojtësi i djathtë po luan si titullar në javët e para edhe për mungesë të Kristijan Toshevksit, ndërkohë që ditën e sotme ish-lojtari i kombëtareve të moshave ishte përzgjedhur nga Tirana për të folur për mediat në prag të ndeshjes me Kastriotin. Veç përballjes me krutanët, ai foli edhe për ndikimin e rezultateve jo të mira në ekip dhe për emërimin e Nevil Dedes si trajner.

NDRYSHIMI I TRAJNERIT – “Profesor Nevili na dha më shumë besim dhe të kemi më shume besim me njëri-tjetrin. Në çdo seancë stërvitore ai komunikon një mentalitet fituesi. Në çdo ndeshje duhet të mendojmë fitoren dhe besoj se shpejt, në ndeshjen e ardhshme me Kastriotin, do të kemi fitore. Besoj se i gjithë ekipi është i kënaqur me trajnerin dhe mendoj se shumë shpejt edhe ai do të arrijë planet dhe qëllimin që ka”.

NDIKIMI I HUMBJEVE – “Natyrisht kur nuk  vijnë fitoret, vijnë mendimet e këqija. Këtë po kërkojmë të gjithë, çfarë nuk shkon mirë. Besoj se duhet të bëjmë më shumë durim, sepse në futboll një fitore është ajo që i ndryshon të gjitha. Unë besoj se kemi një ekip të fortë, por deri tani nuk na kanë vajtur ndeshjet siç i kemi menduar. Shoh edhe nga ekipi që po bëjmë stërvitje të fortë, duhet të kemi durim deri sa të na vijnë ndeshjet e mira dhe fitoret”.

KASTRIOTI – “Ashtu siç u shpreh edhe trajneri, ne kemi respekt për çdo kundërshtar dhe çdo ekip. Kemi parë që Kastrioti po ecën shumë mirë dhe ka treguar këtë sezon se është një ekip i fortë. E rëndësishme është si do të paraqitemi ne. Mendoj se nëse të gjithë japim maksimumin, nuk kemi pse të kemi frikë asnjë ekip. Edhe ne kemi treguar se jemi një ekip i fortë brenda dhe jashtë vendit”, përfundon Toli. /abcnews.al