Tole: Periudha më e errët, të nisë stërvitja. Titulli? Tirana e meriton

schedule16:43 - 5 Maj, 2020

schedule 16:43 - 5 Maj, 2020

Afrim Tole është ndër të paktët futbollistë që ka luajtur me tre skuadrat e kryeqytetit: Tiranën, Partizanin dhe Dinamon. Ish-mbrojtësi numëron edhe 9 ndeshje të zhvilluara me kombëtaren. Tole është ndalur te situata e vështirë në lidhjen direkte me “Fan Zone” në Supersport, duke komentuar dhe garën për titull.

FUTBOLLI – “E kemi thënë shumë herë që është një situatë jo normale, të gjithë kërkojnë që të rifillojë futbolli, por unë do të doja që të paktën të riniste stërvitja në grupe të vogla. Në këtë mënyrë, do të viheshin në lëvizje ata lojtarë që rrinë prej dy muajsh në shtëpi”.

PERIUDHA MË E ERRËT – “Fatkeqësisht po. Periudhë të errët dhe të vështirë po kalon gjithë njerëzimi, jo vetëm sporti, por sportistët e ndjejnë më shumë, sepse nuk mund të rrinë dy muaj pa stërvitje e të mbyllur. Uroj që të rikthehet normaliteti sa më shpejt”.

TITULLI – ”Unë do të doja që sezoni të vijojë deri në fund dhe që titulli të fitohet në fushë, jo në tavolinë. Këtë sezon e kam ndjekur në shumicën e rasteve nga stadium. Mund të them që Tirana e meriton vendin në renditje, pasi është shfaqur shumë e konsoliduar dhe e pjekur në fushë. Sa i përket Partizanit, nuk e di pse larguan Gegën, pasi me atë trajner dhe me shumë pak ndryshime, do të ishin sërish për tituj”.

KARRIERA – “Në karrierë kam pasur shumë momente të veçanta dhe nuk do të doja të veçoja asnjë, por le të themi që më i veçantë ishte grumbullimi në kombëtaren shqiptare”.

E ARDHMJA – “Të them të drejtën më merr shumë malli për futbollin dhe do të doja të angazhohesha në ndonjë rol drejtues, por jo si trajner”. /abcnews.al