Afrim Tole ka provuar të luajë me tre ekipet e kryeqytetit gjatë karrierës së tij, teksa numëron edhe 9 ndeshje me kombëtaren kuqezi. Në një prononcim për ABC News, 50-vjeçari flet rreth dy sfidave të kombëtares në Nations League ndaj Kazakistanit (11 tetor, 15:00) dhe Lituanisë (14 tetor, 18:00), të dyja jashtë fushe.
Nuk mungon një koment për trajnerin Edi Reja dhe lojtarët te të cilët ka besim. Në fund bojkoti i Superiores. Qeveria nuk po plotëson asnjë nga këtër kërkesat e klubeve dhe futbolli shqiptar është në kaos për momentin.
“E rëndësishme është të hyjmë me mentalitet fituesi. Përveç Covidit, 40% e ekipit nuk është në gjendje të mirë fizike dhe lojtarë që janë titullarë në ekip nuk marrin pjesë në këtë ndeshje. Kam besim te pjesa tjetër e lojtarëve që vijnë nga ekipi Shpresa. Janë lojtarë që kanë luajtur shumë ndeshje.
Kallaku është një lojtar i pjekur dhe me vizion. Kam besim edhe te Doka e Trashi. Them se i kalojmë këto dy ndeshje, gjithmonë nëse i marrim me seriozitet. Reja? Kam qenë gjithmonë partizan që trajneri të jetë nga Shqipëria. Ka trajnerë që kanë goxha bagazh dhe do ua besoja drejtimin e kombëtares, por vendos Federata.
Bojkoti? Dua që futbolli të luhet, por duhet t’i plotësohen disa kushte futbollistëve dhe presidentëve. Ligji i sponsorizimeve përflitet prej 20 vitesh, por asgjë nuk është bërë. Është shumë e vështirë të mbash një ekip futbolli, sidomos në Shqipëri. Presidentët janë për t’u falënderuar. Ligji i sponsorizimeve besoj do të rregullojë shumë gjëra“, përfundon Tole. /abcnews.al


