Tokio 2020/ Eliminohen Gjermania, Franca e Argjentina: Festojnë Spanja e Brazili

schedule13:57 - 28 Korrik, 2021

schedule 13:57 - 28 Korrik, 2021

Kombëtaret e futbollit kanë luajtur ndeshjet e treta të fazës së grupeve në Lojërat Olimpike. Gjermania nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Bregut të Fildishtë në grupin D, rezultat që eliminon “Pancerat”, të cilët e mbyllën në vend të tretë me 4 pikë.

Autogoli i Benjamin Henrichs (67′) kaloi afrikanët në avantazh, por Gjermania barazoi gjashtë minuta më vonë falë rrjetës së Eduard Lowen. Edhe pse tentoi fitoren deri në fund, skuadra evropiane nuk ia doli dhe në raundin tjetër u kualifikuan Brazili (7) dhe Bregu i Fildishtë (5).

Kombëtarja seleçao fitoi 3-1 ndaj Arabisë Saudite, duke e mbyllur në vend të parë në grup. Matheus Cunha dhe Richarlison (2x) realizuan golat e fitores për Brazilin. Në grupin C u kualifikuan Spanja (5) dhe Egjipti (4), ndërsa Argjentina (4) u eliminua.

1-1 përfundoi dueli Spanjë-Argjentinë, që solli largimin e kombëtares latine nga Lojërat Olimpike. Mikel Merino (66′) kaloi iberikët në avantazh, por Argjentina barazoi tre minuta përpara fundit falë rrjetës së Tomas Belmonte.

Egjipti mposhti 2-0 Australinë dhe u kualifikua si vend i dytë me golavarazh më të mirë se Argjentina. Jashtë Tokio 2020 edhe Franca, që iu mposht 4-0 ndaj kombëtares vendase.

Vendi i parë me 9 pikë të plota për Japoninë në grupin A, teksa kalon më tej edhe Meksika me 6 pikë. Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re janë dy skuadrat që u kualifikuan në grupin B. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!