Toka kërkon “analiza”/ Ekspertët: Fermerët orientohen për kulturat që duhet të mbjellin

schedule14:19 - 22 Shkurt, 2025

schedule 14:19 - 22 Shkurt, 2025

Kemi ardhur në fshatin Shytaj të Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë. Bujqësia është aktiviteti kryesor i banorëve të këtyre fshatrave. Kulturat që kultivohen janë të ndryshme, por mbizotëron vreshtaria.

Arben Sinani, ka një nga fermat më të mëdha në këtë zonë.

“Kemi vreshte 8 dylym, kam agrume 200 rrenje, ullinj 500 rrenje, pjesa tjeter është me grurë, jonxha edhe foragjere”.

Puna në bujqësi nuk ka orare fikse, por lidhet me dritën e diellit. Dita e tij në punët e tokës nis herët në mëngjes deri pasdite vonë. Në prag të pranverës shtohet edhe më shumë.

“Jam marrë me krasitjen, me lidhjen, do behet sperkatja tani, pastaj pleherimi”.

Vreshtat e rrushit përbëjnë aktivitetin kryesor të prodhimeve të tij.

“Cili ka qenë viti më i mirë i prodhimit? Para dy vitesh u dogjem qe na ra semundja. Vitet e tjera kemi qenë mire po të punosh të jep”.

63 vjeçari që me bujqësinë ka siguruar gjithnjë të ardhurat për familje ne tij shprehet i kënaqur me prodhimin që merr, por asnjë vit nuk është njësoj.

Fermerët ankohen vazhdimisht se në fund nuk marrin rendimentin e duhur të prodhimit. Për këtë specialistët e bujqësisë rekomandojnë që të bëjnë analizat e tokës.

Arben Sinani për herë të fundit i ka bërë analiza tokës së tij në vitin 2008.

Specialistët e bujqësisë morën mostrat e dheut në vreshtat e Arbenit, që më pas dërgohen në laborator, duke informuar në këtë mënyrë dhe fermerët e tjerë të zonës.

“Fillimisht pastrojmë pjesën e sipërme të tokes. Ketë dheun siç e kemi e hedhim ne një kove apo karroce. Kjo është një moster e vogël, tani do shkojmë diagonal  në parcelë për të marrë mostra të tjera”.

Teknika e përdorur është e thjeshtë. Ajo mund të kryhet me mjete rrethanore nga çdo fermer.

“Zakonisht ne perdorim sonda, por fermerët nuk kanë sondë, kështu që me një bel sic e bëra unë marrin dheun, bëjnë përzierjen dhe e cojnë më pas në laborator”.

Mbi bazën e të dhënave shkencore që dalin nga analizat, fermerët orientohen mbi sasinë dhe llojin e plehrave organikë që duhet të përdorin për të mbjellat.

“Nepërmjet analizave të tokes ne percaktojmë përshtatshmerine e kulturave bujqësore me tokën. Percaktojmë edhe tokën që është më e përshtatshme dhe sasinë e lendës ushqyese qe ka toke dhe mbi kete baze percaktohet bilanci i plehrimit qe kerkon kultura bujqesore. Fermeri ndihmohet per te percaktuar llojin e plehut, sasine që duhet të perdore”.

Specialistët këshillojnë fermerët edhe për periudhat e përshtatshme se kur duhet të kryhen këto analiza.

“Analizat e tokës kryhen për të gjitha kulturat, kryhen minimalisht njehere në dy vitë. Kemi dy qendra të analizave ne Kruje dhe te Universiteti Bujqesor. Kanë tarifat e tyre. 5 mije leke”.

Fermerët shqiptarë nuk janë të ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e analizës së tokës. Sipas specialistëve, ruajtja e përmbajtjes së duhur të lëndëve ushqyese të tokës përmirëson të mbjellat dhe ul kostot e plehrave organikë që janë të kushtueshëm për fermerët, të cilët në këtë mënyrë shpenzojnë vetëm për sasinë që nevojitet pa e tepruar, që përkthehet në para shtesë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!