Tjetërsimi i pronave/ SPAK dërgon për gjykim Jorgo Goron, akuzohet për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie

schedule10:32 - 22 Shtator, 2024

schedule 10:32 - 22 Shtator, 2024

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ish kreun e Himarës, Jorgo Goro.

SPAK e akuzon Goron për shpërdorim detyre në dy raste, si dhe për fshehje të pasurisë.

Në cilësinë e kryetarit të bashkisë Himarë, ai ka përcjellë pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke tjetërsuar një sipërfaqe tokë nga pronësie e shtetit në pronësi të subjekteve private. Këto sipërfaqe prej rreth 10 mijë metra katror janë sekuestruar nga SPAK dhe si përfitues fundor kishin ish-deputetin Artan Gaçi.

Gjithashtu, SPAK ka dyshime se Goro nuk ka deklaruar një banesë në pronësi të tij.

Kërkesën për gjykim, SPAK ia ka dërguar GJKKO edhe për ish vartësit e Goros.

Jerasimo Bashi, ish Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Bashkisë Himarë në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer 2 herë, parashikuar nga neni 248 e 25, të Kodit Penal; Bilbil Aliaj, ish Drejtor i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë, në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25, të Kodit Penal; Vezir Gjikokaj, ish Jurist i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë, në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25, të Kodit Penal; Stavri Mëhilli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’’, parashikuar nga neni 190/2, 186/2 e 287, të Kodit Penal. Në përfundim të hetimit paraprak ka rezultuar e provuar se, të pandehurit Jorgo Goro dhe Jerasimo Bashi, në bashkëpunim mes tyre, në dy episode të veçanta, kanë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, në mospërmbushje të rregullt të detyrës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!