Tjetër arbitrazh në ICC, Shqipëria kërkon sërish studio ligjore

schedule14:11 - 21 Korrik, 2021

schedule 14:11 - 21 Korrik, 2021

Avokatura e Shtetit ka hapur gjatë këtij viti katër procedura ku ka kërkuar kontraktimin e studiove vendase apo të huaj për të asistuar Shqipërinë në përballjet që kjo e fundit ka nëpër arbitrazhe ndërkombëtare.

Procedura e fundit e hapur për të kërkuar një studio ligjore rezulton të jetë e 14 korrikut të këtij viti dhe shprehja e interesit mund të bëhet deri në datën 22 korrik.

Avokatura e Shtetit ka deklaruar se objekt i kontratës do të jetë përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Republikës së Shqipërisë, në një proces arbitrazhi të iniciuar para Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC). Nuk bëhet ende e ditur se për çfarë çështje është kjo kërkesë e qeverisë.

Përveç kësaj dhome një pjesë e arbitrazheve të Shqipërisë janë në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID).

Arbitrazhet ndaj Shqipërisë viteve të fundit janë rritur në mënyrë të dukshme. Dy nga gjashtë çështjet i takojnë vitit 2020 dhe në total, dëmshpërblimi potencial për të gjitha llogaritet rreth 450 milionë euro. Vetëm pak kohë më parë Shqipëria humbi arbitrazhin me kompanitë “Aktor” dhe “Copri”.

Këta të fundit ishin ndërtuesit e dy loteve të autostradës Tiranë-Elbasan dhe përplasjet që patën me qeverinë bënë që shteti në finale të paguante 45 milionë USD. Një tjetër çështje në vazhdim është ajo me “Dondi & Kubota” ku humbja e shtetit shqiptar llogaritet në 90 milionë euro nga të cilat vetëm 20 milionë si pretendim gjykate ndërsa pjesa tjetër lidhet me mospërfundimin e investimit.

Në 23 shtator 2020, pranë ICSID, u regjistrua një tjetër çështje kundër Shqipërisë. “Kompania Durrës Kurum Shipping” dhe të tjerë paditën shtetin duke kërkuar 100 milionë euro kompensim për prishje të njëanshme të kontratës. Këtyre më pas u shtohen edhe çështja e Becchettit dhe ajo e Akërnisë nga Arka Energy që rrisin në mënyrë të jashtëzakonshme shumën potenciale që Shqipëria mund të humbasë të Arbitrazhe.

Lidhur me Becchettin tashmë gjykata ka dhënë vendimin pro investitorit italian dhe Shqipërisë do t’i duhet që të paguajë. Aktualisht Shqipëria ka bërë përpjekje për ta shtyrë këtë zbatim përmes procedurave të ndryshme ku më e fundit ishte ajo korrigjuese por kjo nuk ndryshon faktin që vendit do t’i duhet ta paguajë faturën e kripur prej rreth 110 milionë euro.

Ministria e Financave në raportin e zbatimit të buxhetit të vitit të shkuar raportoi se ishin shpenzuar për arbitrazhe vetëm 33 milionë lekë. Kjo shumë modeste në raport me dëmin potencial që mund të pësojë vendi vjen nga fakti që në buxhet raportohen vetëm shumat që paguhen për vendime që kanë marrë formë të prerë. Shumica e arbitrazheve janë në proces e sipër./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!