Problemet nuk kanë të sosur për Interin. Pas rezultatave jo shumë të mira në javët e fundit, tashmë gara për titullin kampion mund të konsiderohet e mbyllur për zikaltrit. Antonio Conte do t’i duhet të përballojë dhe një problem tjetër, këtë herë me një nga titullarët e tij.
Bëhet fjalë për mesfushorin Marcelo Brozovic. Kroatit i është hequr patenta ditën e djeshme nga policia italiane, pasi është kapur në timon në gjëndje të dehur. Sipas raportmit të ‘’Corriere della Sera’’, Brozovic ka qenë në drejtimin e makinës së tij Rolls Royce Cullinan në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur kaloi në semafor me të kuqe.
Mesfushori i Interit ndodhej shumë pranë një lokali nate në Milano, ku e ndaluan oficerët e policisë. Ai u nënshtrua menjëherë një testi alkoli dhe si pasojë humbi dhe patentën. Ende nuk ka një reagim nga klubi zikaltër dhe mbetet për t’u parë nëse 27-vjeçari do të grumbullohet nga trajneri Conte për përballjen e nesërme kundër Torinos. /abcnews.al