“Tirani anti-kombëtare”, Meta: Zgjohuni shqiptarë, nuk është betejë kompetencash

09:12 | 21/02/202009:120

Presidenti Ilir Meta përmes një statusi në facebook u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën e 2 Marsit. Sipas tij beteja nuk është për kompetencat e Presidentit por për vete ekzistencën e shtetit. Meta shprehet se nëse e lëmë mazhorancën në këtë rrugë, mbetet vetëm nënshtrimi pa kushte ose shpopullimi i vendit.

Thirrja e plotë e Metës

Zgjohuni për të kuptuar se beteja për Gjykatën Kushtetuese është një betejë vendimtare për secilin prej jush dhe jo vetëm për të ardhmen e demokracisë, por dhe për vetë ekzistencën e shtetit dhe të kombit tonë që janë më të rrezikuar se kurrë nga kjo organizatë mafioze në pushtet, celulë lokale e një organizate ndërkombëtare që lakmon territorin tonë, mjaft strategjik nga ana gjeopolitike edhe për shumë veprimtari kriminale me përfitime të jashtëzakonshme.

Kjo është një organizatë mjaft e strukturuar, me një program të qartë të instalimit të një regjimi satrap që dhunon çdo ditë të drejtat e shqiptarëve dhe që përmes kapjes mafioze të Gjykatës Kushtetuese synon t’i asgjesojë të drejtat demokratike dhe legjitime të tyre përgjithmonë duke i vendosur vetëm përballë dy zgjedhjeve: nënshtrimit pa kushte ose shpopullimit.

Por jo vetëm kaq. Me rrëmbimin mafioz të Gjykatës Kushtetuese synohet dorëzimi “de facto” i sovranitetit dhe integritetit të vendit në duart e organizatës ndërkombëtare.

Duhet të kuptoni se kjo nuk është një betejë kompetencash midis Presidentit dhe mazhorancës për disa vende pune në Gjykatën Kushtetuese, por një betejë për të mos lejuar instalimin e një junte policore ku dhe vetë Gjykata Kushtetuese do të ishte “de facto” Policia anti-kushtetuese, përmes se cilës do realizohej ekzekutimi përfundimtar i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë.

Ndaj në 2 Mars çdo qytetar është i ftuar të vijë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i treguar kësaj organizate mafioze se durimi ka kapërcyer çdo kufi dhe se mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe e çdo shqiptari të ndershëm dhe të përgjegjshëm që mbron të ardhmen e tij dhe të fëmijëve në këtë vend, nga instalimi i plotë i një tiranie anti-kombëtare siç e shikoni çdo ditë.

SHQIPËRIA E PARA!

SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT!


 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono