Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i bëjnë thirrje qytetarëve të cilëve iu ka përfunduar afati i dokumenteve te identifikimit të mos lënë aplikimin për momentin e fundit. Lleshaj dhe Veliaj ishin në njësinë administrative numër pesë në kryeqytet ku u çelën zyra të reja për të aplikuar.
Qytetarët e Njësisë 5 në kryeqytet nuk do të duhet të presin në radhë për t’u pajisur me letërnjoftimet e reja. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë ALEAT hapen zyrat e reja të aplikimit.
“Njësia 5 ka kaluar nga 3 sportele në 8 sportele, pra thuajse kemi trefishuar aksesin për të gjithë qytetarët që marrin shërbim në 4-5 minuta”.
Zyrat e reja te aplikimit do ju vijnë në ndihmë edhe zonave rurale. Për të lehtësuar shërbimin ndaj banorëve ato janë grupuar në qendrat administrative më të afërta.
“Kjo është arsyeja pse te rrethrrotullimi i Shkollës Teknologjike kemi zyrën që ka bashkuar Njësinë 6 me 7, për ta liruar zyrën e Kombinatit kryesisht për Ndroqin, Pezën dhe Vaqarrin. Besoj me këtë frymë do të vazhdojmë edhe në njësitë e tjera rurale, për t’u siguruar që hyrja e tyre e parë në qytetin e Tiranës të jetë edhe baza më e madhe e shërbimeve. Ndërkohë, shërbimet ofrohen edhe në njësitë e tyre administrative, sidomos sipas raportit të banorëve. Shëngjergji ka më pak banorë, ndërkohë që Kashari është një zyrë më vete”.
Ndërkohë ministri i Brendshëm iu bëri thirrje qytetarëve që iu ka përfunduar afati i dokumenteve të identifikimit të mos lënë aplikimin për momentin e fundit.
“Zgjatja e afatit është bërë për të ulur fluksin, për t’u krijuar kushtet qytetarëve që të aplikojnë jashtë stresit, por kjo nuk do të thotë që ta shtyjnë për në fund të dhjetorit. Duhet që intensiteti i aplikimeve të vijojë, në mënyrë që në fund të dhjetorit të evitojmë presionin e madh që do të krijohet nga kartat, por edhe nga pasaportat e shumta që skadojnë në vjeshtë”.
Krahas zyrave të reja paralelisht qytetarët mund të aplikojnë për karta dhe pasaporta identiteti edhe pranë njësive administrative./abcnews.al