Tiranë, të hënën mbahet Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore

schedule18:40 - 14 Qershor, 2025

schedule 18:40 - 14 Qershor, 2025

Përmes një video të publikuar në rrjetin e tij social, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme,  Igli Hasani ka bërë të ditur se MEPJ do të organizojë ditën e hënë, Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

“Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.” – shprehet Ministri Hasani.

SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një forum i rëndësishëm politik që synon dialogun dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore, i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës Shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025, pas Kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi, dhe do t’i pasohet në vijim Sofjes.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!