Tiranë/ Shpërthimi në ballkon, hetimet: Lënda shpërthyese u hodh me dron

schedule11:17 - 25 Dhjetor, 2024

schedule 11:17 - 25 Dhjetor, 2024

TIRANË- Disa ditë pas shpërthimit pak para mesnatës së 21 dhjetor  në rrugën “Sadik Petrela”, hetuesit kanë vërtetuar se lënda plasëse në katin e 9 të pallatit është hedhur me dron.

Droni ka shpërthyer bashkë me lëndën plasëse që dyshohet se ka qenë një minë e vogël artizanale me telekomandim nga larg. Policia po bën ekspertizën e disa mbetjeve të dronit për të gjetur gjurmë çka mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Sakaq shënjestër e këtij sulmi, sipas grupit hetimor dyshohet se ka qenë Benard Sinomanti nga Vlora, i arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe i skeduar nga policia.

Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë te Vlorës po e kërkoj Benard Sinomatin për ta marrë në pyetje lidhur me shpërthimin por deri më tani ai nuk është gjetur.

Po ashtu policia nuk ka mundur të gjejë as Elena Arzën, e cila kishte marrë me qira  apartamentin në rrugën Sadik Petrela.

Benard Sinomati dhe Elena Arza dyshohet se janë larguar vetëm disa minuta pas shpërthimit të eksplozivit. Sipas hetimeve, është vërtetuar se banesa është dhënë me qira në fundin e korrikut të këtij viti dhe se gjithçka është bërë sipas ligjit.

Pronari i banesës në katin e 9-të ka thënë se shtëpinë ia ka dhënë një çifti që në verë dhe se ai personalisht nuk ka asnjë konflikt të hapur çka mund të ketë sjellë këtë ngjarje.

Bernard Sinomati është vëllai i Sokol Sinamatit, ish-anëtarit të bandës së “Gaxhait ”, dhe xhaxhai i Gëzim Sinomatit, 22-vjeçarit që u ekzekutua me snajper në janar të këtij viti në lagjen “Hajro Çakerri” në Vlorë.

Edhe për vrasjen e 22-vjecarit policia dyshon se shënjestra ka qenë pikërisht Xhaxhai i tij, Benardi, me precedentë të mëparshëm penale për armëmbajtje pa leje dhe i skeduar nga Policia e Vlorës.

Si pistë kryesore policia, po heton konfliktet që familja Sinomati ka në Vlorë dhe përplaset me bandat rivale. Po ashtu po kryhen verifikime nëse sulmi me eksploziv, lidhet me atentatin që iu bë kushëririt të Inez Hajrullës, 30-vjeçarit Kevin Hajrulla i cili mundi ti shpëtonte breshërisë së plumbave mbrëmjen e 18 dhjetorit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!