Dhjetëra banesa në disa qytete janë kontrolluar nga policia në kërkim të 42 vjeçarit Klered Bozhani, i cili një natë më parë ka qëlluar dhe plagosur një nga efektivët e policisë.
Zv. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari përsëriti sërish thirrjen e policisë, për të gjithë ata që kanë informacion lidhur me vendodhjen e Bozhanit.
I ftuar në News Line, ai gjithashtu i bëri thirrje autorit të dorëzohet, pasi kërkimet po vazhdojnë në mënyrë intensive.
“Së pari, është lajmi i mirë është që punonjësi i policisë ka kaluar rrezikun për jetën. Një lajm i mirë për të gjithë ne, për familjarët dhe për të gjithë kolegët e tij në organizatën e policisë. Nuk mund të mendohet që ditën e sotme, që dikush të guxojë dhe të vendosë dorë ndaj punonjësve të policisë, akoma më keq të përdorë armët ndaj tyre. Tani dhe pse ne kemi këmbëngulur fortë për ashpërsim të kodit penal, të dispozitave të cilat lidhen me garantimin e integritetit trupor, shëndetin dhe jetën e punonjësve të policisë. Në fund të fundit, ata janë duke zbatuar detyrën. Këtu kërkohet dhe mirëkuptimi dhe mbështetja e publikut. Dua të shfrytëzoj këtë mundësi të përsërisë thirrjen që ka bërë policia e shtetit në orët e drekës, duke inkurajuar të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë, të ndajnë informacione të vlefshme për lokalizimin e personit në kërkim. Nga ana tjetër, është një thirrje që ne i bëjmë vetë personit, i cili duhet të dorëzohet. Policia është e vendosur për kapjen e tij. Kërkimet vijojnë në mënyrë intensive në çdo qytet ku ai mund të jetë. Janë kontrolluar disa dhjetra banesa. Ne duam që të marr fund një orë e më parë”, u shpreh Lamallari./abcnews.al