Tirana qendra e Turizmit Europian, Veliaj dhe Kumbaro takojnë sekretarin e OBT për Europën: Do të hapim një akademi ekselence për turizmin

schedule12:17 - 8 Prill, 2024

schedule 12:17 - 8 Prill, 2024

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, pritën në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit për Europën, Zurab Pololikashvili, në vijim të mbledhjes së 70-të të kësaj organizate, që mbahet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit të turizmit nga 40 shtete të Europës.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj dha idenë për krijimin e një Akademie ekselence të Turizmit për përballuar fluksin e jashtëzakonshëm të vizitorëve në vendin tonë, por edhe në rajon. “Dua të falenderoj gjithë skuadrën, por kemi edhe një lajm të mirë. Ashtu siç kishim modelin e Kolegjit të Europës, kemi një ide të cilën sapo e kemi ngjizur, për të pasur një akademi ekselence të turizmit. Ne kemi sot një bum të jashtëzakonshëm dhe duhet që ta përballojmë këtë. Se ndryshe do të kemi sfida të tjera. Ne duhet të përgatitemi se si t’i drejtorët ekzekutivë të hoteleve me 5 yje dhe resorteve, të jenë staf shqiptar, edhe pse jemi shumë të hapur për të gjithë ata të huaj që po punojnë sot në Shqipëri. Por, ka ardhur koha që rajoni të bashkëpunojë si për Kolegjin e Europës, për stafet që do të na çojnë drejt Bashkimit Europian, sot do të bashkëpunojmë për stafet e ekselencës që do të menaxhojë gjithë biznesin e turizmit, që gjithmonë e më shumë për Shqipërinë, por edhe për rajonin, është një bekim i madh”, u shpreh Veliaj.

Ministrja Kumbaro tha se Tirana e ka arritur objektivin për të pasur turizëm 365 ditë të vitit, duke theksuar se sot kryeqyteti është vendi ku të gjithë duan të organizojnë eventet e tyre, pasi në Tiranë i gjen të gjitha.

“Tirana e ka arritur atë objektiv, pra 365 ditë turizëm. Tirana është vendi që të gjithë duan që të organizojnë, ta përdorin, të jenë, ta shijojnë për eventet dhe për mbledhjet. Prandaj, Tirana mirëpret këtë vit, për të parën herë, Komisionin për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit me 40 delegacione të nivelit të lartë, nga të gjitha vendet e kontinentit europian. Në Tiranë i gjen të gjitha”, tha ajo.

Pololikashvili falenderoi kryebashkiakun Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama për mikpritjen në Tiranë. Ai u shpreh se ky event i shërben jo vetëm Tiranës, por të gjithë rajonit, ndërsa vlerësoi transformimin e kryeqytetit, duke theksuar se po bëhet çdo vit e më i bukur me ndërtesa dhe investime të reja.

“Jam shumë i lumtur që shoh, në herën time të dytë që vizitoj Tiranën, që ky qytet po ndryshon çdo ditë, Tirana po ndryshon çdo vit, është duke u bërë më e bukur, me ndërtesa dhe ndërtime të reja. Në të njëjtën kohë prezantuam dhe duam të çojmë përpara këtë dokument shumë të rëndësishëm, që konsiston në investimet në Tiranë dhe në Shqipëri. Jam i sigurt dhe ne jemi këtu për të mbështetur Tiranën dhe Shqipërinë, për të thithur më shumë investime të huaja direkte dhe me miq dhe me profesionistë të mirë është gjithmonë nder dhe kënaqësi të punosh”, u shpreh ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!