“Tirana nuk më pagoi një vit, ranë nga kategoria se luhej me mik”

schedule16:39 - 11 Maj, 2020

schedule 16:39 - 11 Maj, 2020

Enriko Papa, mesfushori nga Kuçova, po aktivizohet në Rumani me skuadrën e Botosani dhe paraqitjet e tij kanë qenë të mira. Vetë ai tregon se ka pasur shumë oferta, duke nisur me Dinamo Bukuresht, e për të vijuar me Chievo në Itali e Western United në Australi.

Këtë periudhë, edhe ai di gjithë të tjerët ka qëndruar në shtëpi. Koha ka kaluar për të, pas pranë tij ka bashkëshorten dhe djalin, ndërkohë që në një intervistë të dhënë ka treguar se pse në Shqipëri nuk ka mundur të tregojë dot vlerat e tij, ndërkohë që edhe zbulon disa prapaskena dhe një dramë të përjetuar në familje.

“Transferimi jashtë ka qenë diçka që e kërkoja me kohë, pasi doja të shikoja vlerat e mia. Futbollin e kam nisur që në moshë të re dhe kam qenë me shumë perspektivë te moshat e Olympiacos dhe Panionios në Greqi, ku ndodhesha me familjen. Në moshën 16-vjeçare kam humbur mamanë nga një sëmundje e keqe. Kjo më detyroi që ta lija futbollin për një kohë 2-vjeçare.

Në moshën 18 vjeçare jam kthyer në Shqipëri ku iu nënshtrova një prove tek ekipi i Apolonisë. Aty ishte pikënisja e karrierës sime profesioniste. Besoj se kam bërë një paraqitje të mirë për rreth 2.5 vite dhe kjo ishte edhe një nga arsyet që kam pasur shumë oferta .Vitin e fundit të kontratës, disa persona që drejtonin ekipin e Fierit, për arsye personale nuk me lejuan që të lëvizja nga ekipi”, shprehet Papa.

Më tej, për “Superliga_Shqiptare_81” në Instagram, ai shton: “Përpos kësaj,në momentin që është mbyllur merkato, më lanë të lirë dhe isha i detyruar të lëvizja vetëm në Kategorinë e Parë. Çdo gjë që kisha ndërtuar duhej ta rifilloja nga fillimi. Ka qenë një vit në këtë kategori, ku nuk isha aty ku duhej. Kur shkova tek Bylis, që ndodhej në Superligë, në 16 ndeshje shënova 2 gola, gjithashtu edhe disa asiste.

U transferova tek Tirana,ku besoj se vajta në kohën më të keqe, pasi kam qëndruar një vit pa u paguar. Në të njëjtën kohë kam bërë edhe një operacion, që më la 3 muaj jashtë fushave. Rol kryesor ka luajtur edhe ‘miku’, pasi shumë lojtarë futeshin në fushë falë tyre. Si pasojë ekipi më i madh në Shqipëri përfundoi një kategori më poshtë. Humba vetëbesimin dhe nuk mundtë jepja maksimumin.

Tek ekipi i Teutës kam vajtur me shumë pritshmëri, si nga ana ime ashtu edhe e ekipit. Qëndrova vetëm 6 muaj. E keqja në Shqipëri është se në çdo ekip ka shumë persona që ndërhyjnë, për shumë arsye të ndryshme. Te Lushnja kam pasur një sezon shumë pozitiv, me 2 gola dhe 7 asiste.

Këtu në Rumani nuk ka ndërhyrje, çdo gjë e bën trajneri. Nëse stërvitesh dhe vërtetë e meriton, do luash. Gjithashtu edhe nga ana ekonomike janë shumë korrektë. Presion më shumë në Shqipëri? Jo, nuk është presioni, por ka shumë njerëz që nuk marrin vesh nga sporti dhe ndërhyjnë ose kanë sportin në dorë”.

Mes të tjerash ai është pyetur edhe për një ftesë në kombëtare, ose për opsionin Kosova? Akoma nuk më ka kontaktuar njeri, por gjithsesi është kënaqësia më e madhe që një ditë të jem pjesë e Kombëtares. Kosova opsion? Nuk mund ta pranoja, sepse Kosova është Shqipëri”, ka deklaruar Papa, në intervistën e dhënë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!