“Tirana nuk bëhet pjesë e skenarëve të stisur, tymnajë e qëllimshme”

schedule23:24 - 2 Korrik, 2020

schedule 23:24 - 2 Korrik, 2020

Tirana zien. Mediat dhe kushdo në këtë vend që e ka parë ndeshjen me Bylisin, arrin në konkluzionin se ishte një turp ajo që ndodhi. Ekipi i vendit të parë që ecën në fushë për 45 minuta nuk mund të pranohet nga askush. Nëse mediat mund të jenë të blera, kjo nuk ndodh me tifozët e Tiranës. Ata nuk bëjnë kompromise dhe e kanë shprehur mendimin e tyre në rrjetet sociale.

Gjithsesi te Tirana mendojnë se e gjitha ka qenë e pastër dhe se ka njerëz që kërkojnë të krijohet një situatë dashakeqe. Gjithashtu paralajmëron se do ndiqen procedurat ligjore ndaj personave që përpiqen të dëmtojnë imazhin e klubit.

“Duke marrë shkak nga situata e krijuar në media kundrejt sfidës KF Tirana – FK Bylis, KF Tirana rrëzon poshtë të gjitha akuzat drejtuar saj. Nënvizojmë se klubi kurrsesi nuk mund të bëhet pjesë e asnjë skenari të stisur dhe i qëndron besnike objektivave te sezonit.

Të gjitha këto tymnaja krijohen për të prishur harmoninë dhe pozitivitetin që mbizotëron në klub. Jemi të gatshëm të analizojmë të gjithë situatën dashakeqe dhe mëse të gatshëm për ta ndjekur atë në organet kompetente. Asnjë aludim nuk mund të hedhë poshtë atë objektiv për të cilin ky ekip punon çdo ditë.

Ftojmë të gjitha mediat të jenë sa më korrekte në pasqyrimin e materialeve të tyre, pasi klubi ynë do të jetë transparent për gjithçka ndodh në familjen tonë. KF Tirana do të ndjekë të gjithë procedurat ligjore për shpifjet e bëra mbi këtë sfidë. Ky proces do të jetë i vlefshëm për të gjithë personat që do të përpiqen të dëmtojnë imazhin e klubit më të madh në vend”, shkruan klubi bardheblu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!