Tirana nis punën për t’u zgjedhur kryeqyteti evropian i të rinjve në 2022

schedule14:33 - 19 Prill, 2019

schedule 14:33 - 19 Prill, 2019

“Të tregojmë që Tirana është jo vetëm qyteti më i ri, por edhe më evropian në rajon”. Ky është synimi i bashkisë sipas kryetarit Erion Veliaj, i cili tha se kanë nisur përgatitjet që kryeqyteti të shpallet qyteti evropian i të rinjve në vitin 2022.

Në Tiranë ka nisur puna që në vitin 2022 kryeqyteti i Shqipërisë të zgjidhet dhe kryeqyteti evropian i të rinjve.

Bashkia, organizata rinore, gjimnazistë dhe studentë u mblodhën për të diskutuar rreth sfidave dhe hapave që do të merren për të përmbushur me sukses këtë qëllim.

Kryebashkiaku  Erion Veliaj tregoi se aktualisht Tirana është përzgjedhur si një nga 5 finalistët dhe synimi është fitorja.

“Duhet të jemi edhe inteligjentë, jo vetëm që të përkushtohemi me një buxhet të caktuar për të qenë Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por edhe të ketë duk, pra të ketë një sërë aktivitetesh, ku shumë të rinj mund të përfitojnë shumë prej fushave të caktuara, jo vetëm muzikë apo art, kulturë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se qytetit i nevojitet të jetë i aksesueshëm dhe për të rinjtë që vijnë nga vendet e tjera të rajonit.

“Na duhet të kemi një dimension rajonal; pra duhet të jemi patjetër Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por duhet të pranojmë se do të jemi shumë të aksesueshëm për të rinjtë. Ajo që do të vlerësohet është sa qytet i hapur jemi për të përfshirë edhe të tjerët. Jam i sigurt se shumica prej jush keni shoqata partnere-binjake, me të cilat mund të keni bërë projekte apo shkëmbime, por do na e rrisni fuqinë e aplikimit tonë nëse do të ishim më të hapur, të kishim shkëmbim energjish, por edhe aktivitete të përbashkëta me të rinj të tjerë të rajonit, për të rrëfyer se realisht Tirana është jo vetëm qyteti më i ri në rajon, por është edhe qyteti më evropian në rajon”.

Tashmë sipas kryetarit të bashkisë edhe shumë institucione ndërkombëtare po zgjedhin Tiranën për selitë e tyre, duke e kthyer atë në një epiqendër të vendimmarrjeve. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!