Tirana ndihet edhe më shumë nën presion pas dënimit nga ana e Disiplinës, për shkak të sjelljes së tifozëve. Trajneri Mema, i shqetësuar në prag të ndeshjes së Superligës në fushën e Luftëtarit.
Vetë presidenti deshi t’i takonte përpara një tjetër ndeshjeje. Futbollistët e Tiranës mendohet se morën zemër nga numri 1 i klubit, një ditë pas dënimit nga Federata dhe një ditë para ndeshjes së radhës në Superligë.
Hyrja e tifozëve në fushë i kushtoi dy ndeshje pa spektatorë, me vendim të Komisionit të Disiplinës, një tjetër goditje për moralin e skuadrës. Natyrisht, kjo nuk ka të bëjë me sfidën e së dielës ndaj Luftëtarit, por me atë ndaj Skënderbeut javën tjetër, por gjithsesi, ka shkaktuar shqetësim, siç shihet tek reagimi i trajnerit Mema.
“Më shumë do ishte një ndeshje kontrolli pastaj nëse loz pa tiofza. Një papërgjegjshmëri të disa personave aty sjellin dhe këto shqetësime. Ata nuk janë tifoza të Tiranës. Tirana boll halle ka dhe duhet të mbajë në shpinë edhe këta 10 apo 20 persona që nuk i kuptoj”, tha Mema.
Gjithsesi, për momentin, Mema duhet të përqëndrohet tek sfida në Gjirokastër.
“Normalisht është rival direkt sepse jemi me pikë ngjitur. Mendoj që është ekip shumë i fortë dhe që di të lozë në fazën e sulmit. Kemi mundësi për të qenë ekipi në ekuilibër dhe për ta fituar ndeshjen”, u shpreh trajneri i Tiranës.
Trajneri erdhi në një moment shumë të vështirë, ndërsa thekson se nuk e ka ndihmuar as kalendari.
“Kur kam ardhur kam bërë vetëm një ndeshje në shtëpi dhe vazhdojmë me ndeshjet jashtë si kjo e radhës dhe pastaj vijnë ndeshjet e radhës që janë Skëndërbeu, Partizani e kështu me radhë. Kjo fazë është një fazë shumë e fortë dhe ka pasur problematikat e veta”, theksoi Mema.
Tirana mban vendin e katërt nga fundit në Superlige me 10 pikë, vetëm 2 pikë larg zonës së rënies nga kategoria./abcnews.al