Tirana do të presë këtë të enjte Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, pas atij të Ukrainës që u mbajt një ditë më parë. Në samit do të jetë i pranishëm Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale. Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore.
-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.
-Përshpejtimi i reformave themelore
-Rritja e ndihmës financiare
BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij
AGJENDA:
09:30 – Mbërritja e Liderëve në Pallatin e Kongreseve
09:45 – Fjala hapëse kryeministri Rama – komisioneri Varhelyi
10:45 – Foto familjare
12:00 – Firmosja e marrëveshjes
12:30 – Konferencë për shtyp