Tirana më pranë mbijetesës pas fitores ndaj Teutës

schedule22:14 - 14 Prill, 2019

schedule 22:14 - 14 Prill, 2019

Tirana hodhi një hap të madh drejt mbijetesës në Superligë me fitoren 3-1 në Durrës, ndaj Teutës. Një ndihmë i dha edhe Skënderbeu që mundi 4-0 Kastriotin në Korçë

Nuk mund të kishte javë më të mirë se kjo.

Edhe pse një rival fitoi, tjetri u mund dhe vetë Tirana ia doli të merrte tri pikë të arta.

Shënoi tre gola dhe pësoi vetëm një në fushën e Teutës, ndërsa Kastrioti u mund 0-4 në Korçë.

Trajneri kryeqytetas, Ardian Mema, u ankua para ndeshjeve se kundërshtarët fitonin lehtë edhe me rivalë të fortë, madje me gola identikë, por të paktën këtë herë mund të jetë I qetë.

Ishte Tirana e tij që ia doli relativisht lehtë në një stadium të vështirë si “Niko Dovana” I Durrësit, ndërsa Skënderbeu nuk lejoi që krutanët të shkaktonin ndonjë të papritur në Korçë.

Bardheblutë fituan edhe pse patën disa ndryshime në formacion, me lojtarë si Goxha apo Muçi, për shkak të mungesave.

Skuadra mike ishte ajo që bëri lojën dhe që shënoi golat.

Autorë ishin afrikani Oduamadi, shkodrani Hasani dhe kapiteni Karabeci, ndërsa për durrsakët Kamara thjesht shkurtoi përkohësisht diferencën në 1-2.

Pati kënaqësi edhe për ish-kapitenin Gentian Muça, që hyri në fushë për disa minuta, ndërsa ka lënë prapa dëmtimin e rëndë që e pengoi për shumë kohë.

Skënderbeu, ndërkaq, shkatërroi Kastriotin 4-0, duke u hakmarrë në një farë mënyre për dhunimin e lojtarëve të tij në ndeshjen e fazës së kaluar në Fushë Krujë.

Muzaka shënoi në pjesën e parë, ndërsa Oto Xhon e dy herë Krasniqi në 15 minutat e fundit.

Skënderbeu u ngjit i katërti në tabelë me 43 pikë, Tirana ka 36, ndërsa Kastrioti mbeti me 30 pikë i shkëputur në vendin e parafundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!