Nga Leontina Nika
Në Galerinë e Artit të Tiranës prezantohen punimet e 30 artistëve ndërkombëtar. Punimet janë realizuar përgjatë një kolonie 3 ditore të piktorëve të rinj në Tiranë, Laç dhe Krujë.
Në fokus të tyre janë emocionet, peizazhet, urbanistika, por pa lënë mënjanë edhe portretet dhe nudot.
Specialistja e artit në këtë galeri, Tana Kalemaj thotë se qëllimi është që kjo eksperiencë e parë të shndërrohet në traditë.
“Aktiviteti përfshinë 30 artistë të rinj të artit figurativ nga Suedia, Gjermania, Shqipëria, Italia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Qipro, Jordania, Lituania, Serbia, Gjeorgjia, etj.
“TiranaArtColony2022” i dedikohet zhvillimit të arteve të së tashmes dhe të ardhmes, duke kontribuar dhe pasuruar vendin me vepra artistike nga artistë të rinj”
Kjo koloni shërben si këmbim eksperiencash, qasje shkollash , por edhe një formë për të njohur historinë, kulturën dhe tradita të ndryshme, por gjithashtu për të ngritur ura bashkëpunimi midis vendeve të ndryshme thekson Kalemaj.
Ngjyrat e forta, guximi dhe eksperimenti në mediume të ndryshme karakterizon punimet e artistëve të rinj ndërkombëtar , të cilët i lënë shteg rikthimit sërish në vendin tonë.
Kjo është ekspozita e cila përmbyll sezonin e verës në Galerinë e Tiranës, për ti lënë vendin rikthimit të bienales ndërkombëtarë të grafikës në shtatorë./abcnews.al/