Tirana i bashkohet “Javës Europiane të Lëvizshmërisë”

schedule22:19 - 20 Shtator, 2019

schedule 22:19 - 20 Shtator, 2019

E diela e 22 Shtatorit do të jetë ditë pa makina edhe në kryeqytetin shqiptar. Edhe këtë vit, Tirana i është bashkuar “Javës Europiane të Lëvizshmërisë”, e cila synon ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur sa më pak mjetet që ndotin mjedisin dhe të përqafojnë qasjet e reja të transportit alternativ, duket ecur ose pedaluar më shumë.

Bashkia e Tiranës ka planifikuar organizimin e një sërë aktivitetesh, që kanë për qëllim nxitjen e qytetarëve në përdorimin sa më shumë të biçikletës. Për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, ka marrë të gjitha masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve të qytetit.

Ditën e dielë do të ndalohet përkohësisht gjatë paradites qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza”, ndërkohë devijim të lëvizjes do të ketë edhe për linjat e transportit urban./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!