“Tirana ekipi për t’u mundur”, Daja: Më shqetëson fusha, mund të luanim diku tjetër

schedule10:47 - 3 Dhjetor, 2020

schedule 10:47 - 3 Dhjetor, 2020

Partizani, edhe pse pa bërë merkato këtë verë, ia ka dalë që pas pesë javëve kampionat të renditet në vendin e parë me pikë të barabarta me Vllazninë. Në derbi të kuqtë shkojnë me moralin lart dhe sot para medieve doli trajneri Ilir Daja, i cili në të shkuarën e ka përjetuar një përballje të tillë në stolin e bardhebluve.

“Derbi më shumë se për trajnerët është për tifozët. Është një ndeshje që duhet fituar. Përveç tifozëve ka edhe një bonus psikologjik. Ne e kemi përgatitur me qetësi sepse vijmë nga një gjendje psikologjike e mirë. Natyrisht që nuk presim të kemi kundërshtar si të mëparshmit. Do jemi me mendjen e ftohte dhe me zemrën zjarr.

Jemi me këmbë në tokë. Sipas historisë edhe kur ekipet kanë pasur diferenca edhe atëherë nuk mund të gjesh favoritë në derbi. Kemi konsoliduar mjaft mirë manovrën dhe kemi një shpirt skuadre, që duhet ta tregojmë me patjetër nesër sepse është një ndeshje shumë e vështirë.

Ka qenë një nga më të mirët që kam drejtuar. Me mentalitet fituesi dhe i lehtë për tu menaxhuar. Ka eksperiencë jo të mjaftueshme në trajnim dhe nuk kam pse të kem frikë unë Nevilin, por ai të ketë respekt për mua. Që kur ka marrë drejtimin e Tiranës nuk e kam takuar, si duket nga impenjimet paralele që kemi pasur.

Flasim për dy tifozeritë më të mëdha në Shqipëri. Është mungesë e madhe dhe në këtë situatë që jetojme e ndiejmë akoma më shumë, pavarësisht se ne kemi pasur marrëdhënie të mirë dhe na kanë ndjekur edhe pse nuk lejohet. Nuk i kemi në stadium, por do na ndjekin në televizion dhe e dime se janë të përqendruar në këtë derbi.

Rikthimi i Asanit? Asani, Melo e Llanaj janë lojtarë me cilësi individuale. Ata që kanë gjendjen më të mirë fizike do të luajnë. Ata kanë një javë që stërviten, por nuk rrezikojnë. Na duhen në vazhdimësi, jo veç në derbi. Duam t’u marrim maksimumin lojtarëve.

Tirana ka larguar ata që kanë menduar se nuk u bëjnë punë. I vlerësojmë për cilësitë që kanë, por edhe ne kemi cilësi. Me vjen mire që na shohin si favoritë. Gjithsesi, Tirana është ekip për t’u mundur. Edhe me gjysmë goli të fitojmë jam në rregull.

Nuk flas dot për rivalin, shoh pjesën time. Kam drejtuar në derbi me Dinamon, me Skënderbeun kur u krijuan disa derbi. Ka emocione, ankthi është normal. Gjithsesi nuk ka stres. Mundohem që presionin ta marr vetë.

Nuk kam thënë asnjëherë se nuk jam i kënaqur, pasi e dija se mund të kishim këta lojtarë që kemi. Këto pesë javë i kemi pasur të gjithë. Në mbrojtje kemi 4 lojtarë dhe shumë dublime në mesfushë e sulm.

Do kemi vështirësi nëse kemi dëmtime në mbrojtje apo pezullime për kartonë. Ndaj them që duhet të presim javë pas jave dhe nuk kemi dalë me objektiva.

Stadiumi i ri është më i miri në Shqipëri dhe duhet përshëndetur ndërtimi i tij. Na intereson fusha më shumë, pasi tifozët na mungojnë. Na shqetëson fusha, për shkak se luajmë me qarkullim topi. Nuk jam ndjerë mirë kur pashë gjendjen e fushës, pasi klubi e kishte filmuar. Mund të ishte luajtur diku tjetër”, u shpreh Daja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!