“Tirana dhuron” për familjet në nevojë, Veliaj: Vakte të ngrohta

schedule14:38 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 14:38 - 5 Dhjetor, 2018

Stina e festave nuk është vetëm një moment për të festuar, por edhe për të qenë më pranë njëri-tjetrit. Bashkia e Tiranës në disa prej rrugëve të qytetit ka vendosur kosha të posaçëm ku qytetarët mund të dërgojnë veshje, apo lodra për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se gjatë muajit dhjetor do të shërbehet ushqim dhe në hapësirat publike.

Dhjetorin, Bashkia e Tiranës e ka quajtuar muajin e solidaritetit. Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, fëmijë dhe të rritur dhuruan lodra dhe veshje të cilat do të dërgohen në qendra sociale, kopshte dhe shkolla.

“Kolegët kanë vendosur kosha në të gjithë Tiranën, që familjet që kanë lodra të cilat nuk i përdorin më, mund t’i riciklojmë. Kush ka 5, mund të japë 2, qofshin lodra ose rroba, t’i hedhin në këto kabinat e verdha të vendosura nga bashkia, të cilat i pastrojmë, i riparojmë dhe pastaj mund t’i ripërdori një familje në nevojë në zonat rurale të Tiranës, në institucionet tona sociale, në shtëpi fëmije, qendrat tona të emergjencës, banesat sociale në Shkozë. Duam që të paktën fëmijët në këtë dhjetor, mos të ndiejnë që ka pabarazi”.

Aktivitetet me rastin e kësaj dite vijuan me drekën në Qendrat Sociale. Kryebashkiaku thotë se vakte të tilla përgjatë këtij muaji do të shtrohen edhe në hapësirat publike në Tiranë.

“Do të kemi disa vakte që do të gatuhen në hapësirat publike dhe në qendrat tona sociale, të gjitha pikat në të gjithë zonat pedonale në shesh, te Pazari, te Liqeni, do të jenë le të themi pikat më të frekuentuara, ku njerëzit mund të bëjnë dhurata. Askush nuk varfërohet duke dhënë, secili prej nesh pasurohet, pasurohet ai që merr diçka, por pasuron shpirtin edhe ai që jep diçka për ata që kanë nevojë”.

Kryebashkiaku Veliaj i bën thirrje qyetarëve të dhurojnë që të paktën fëmijët të mos ndjejnë pabarazinë në ditët e festave. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!