Steven Gerrard është një idhull i tifozëve të Liverpool. Ish-kapiteni po bën mirë edhe si trajner, teksa ia ka dalë të rikthejë Rangers te titulli kampion pas një kohe të gjatë. Emri i tij lidhet me Liverpool dhe zërat e merkatos e shohin si pasuesi i Jurgen Klopp në pankinën e kampionëve të Anglisë.
40-vjeçari anglez e pranon se ëndërron të drejtojë një ditë Liverpool, por duhet të presë akoma. Në prononcimin e dhënë për ITV News, Gerrard thur elozhe dhe mbështet plotësisht Jurgen Klopp, i cili nuk po kalon një moment të mirë.
“Tifozët e Liverpool nuk më duan në pankinën e ekipit. Ata duan që të qëndrojë Jurgen Klopp dhe unë i mbështes plotësisht. Nuk e imagjinoni dot sesa shumë e duam Klopp. Liverpool drejtohet nga një prej trajnerëve më të mirë në qarkullim.
Unë e dua Klopp, shpresoj të qëndrojë edhe për shumë vite të tjera në krye të Liverpool. E pranoj, e kam ëndërr të bëhem trajneri i skuadrës time të zemrës, por nuk është momenti. Për më tepër, askush nuk e di nëse do të jem aq i mirë sa duhet për këtë detyrë.
Nuk është momenti për të folur për një çështje të tillë, Klopp meriton respekt për punën e jashtëzakonshme që ka bërë. Ai duhet mbështetur nga të gjithë ne“, deklaron ish-kapiteni legjendar i “The Reds”. /abcnews.al