Tronditje e madhe në Angli pas aksidentit të helikopterit të presidentit të Leisterit. Miliarderi nga Tajlanda besohet se ka humbur jetën së bashku me katër persona të tjerë.
Një tragjedi e rëndë për Premier Ligën dhe futbollin anglez. Presidenti i klubit të Leisterit, Srivad Dhanapraba, besohet se ka humbur jetën në aksidentin që pësoi helikopteri i tij, menjëherë pas ndeshjes së radhës në kampionat. Sipas zakonit, helikopteri u ngrit nga mesi i fushës, por u rrëzua fare pranë stadiumit, ndërsa besohet se pati defekt në motor. Mendohet se në bord ishin pesë persona, mes të cilëve edhe presidenti nga Tajlanda, ndërsa po ashtu besohet se askush nuk ka mundur të mbijetojë.
Zjarri që përfshiu helikopterin e ka bërë të vështirë identifikimin e asaj që ndodhi dhe të viktimave. Policia lokale ka bërë thirrje për durim, ndërsa ajo vazhdon hetimin, në bashkëpunim me agjenci të tjera të specializuara. Qindra tifozë të Leisterit mbajtën zi për presidentin e tyre, duke vendosur lule, ndërsa një minutë heshtje u mbajt në ndeshjet e së dielës në Premier Ligë. Miliarderi nga Tajlanda ishte president dhe pronar i Leisterit që nga viti 2010, ndërsa arriti të fitonte titullin kampion të Anglisë në 2016, duke shkaktuar një të papritur të madhe. Ai ishte 60 vjeç, dhe pasuria e tij vlerësohej në rreth 5 miliardë dollarë amerikanë./abcnews.al