Europianëve ndoshta nuk qëllon shpesh t’u kalojë rruga nga Tirana. Kur kjo gjë ndodh, dhe kur shkak bëhet një finale e kupave europiane, ka nga ata të huaj që, përveçse vijnë për të mbështetur ekipet e zemrës, duan të njohin njerëz të rinj, e të kenë përvoja të veçanta.
Kështu ndodh me dy fondacione tifozësh, njëri i Feyenoord dhe tjetri I Romës, që kanë përfaqësuesit e tyre në kryeqytetin tonë, dhe që vendosën të takonin fëmijë shqiptarë.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ata zgjodhën Shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”, ku morën pjesë në një aktivitet simbolik futbolli. Përfaqësuesi i holandezëve, Vesel Verhar ndihej shumë i kënaqur.
“Jemi në Tiranë që të dielën. Për mua është hera e parë që vij në vendin tuaj dhe mund të them se qyteti më pëlqen, të paktën për aq sa kemi vizituar. Duam të japim një mesazh bashkë me tifozët e Romës në prag të finales, dhe nuk ka më bukur sesa ky mesazh të jepet me nxënës.”
Françesko Pastorela është drejtor I departamentit të marrëdhënieve dhe mbështetjeve komunitare në fondacionin e tifozëve romanë.
“Jemi të lumtur që takojmë nxënës shqiptarë dhe që jemi në Tiranë. Ne jemi përfaqësues të një grupimi të tifozëve të Romës dhe na pëlqen që vijmë në një vend fqinj si Shqipëria, me të cilën kemi lidhje tradicionale. Unë mendoj se do të jetë një festë futbolli. Nuk jam në gjendje të them sesa tifozë të Romës do të vijnë, por besoj se do të jetë një numër I madh. Sa për kupën, çdo tifoz thotë se do të fitojë skuadra e tij. Shpresojmë që të fitojë Roma”.
Besohet që edhe për nxënësit shqiptarë, apo edhe mësuesit e shkollës “Vasil Shanto” ishte një kënaqësi për këto njohje të reja. /abcnews.al