Tifozët, akuza Ramosit pas dëmtimit të Salah

schedule12:30 - 27 Maj, 2018

schedule 12:30 - 27 Maj, 2018

Reagimet ishin nga më të ndryshmet pas finales së Championsit në Kiev. Heroi i ndeshjes, Bale, u shpreh i lumtur, por bëri dhe një paralajmërim, ndërsa tifozët akuzuan kapitenin e Realit, Ramos, pas dëmtimit të Salahut.

Rituali i zakonshëm në dhomën e zhveshjes.

Futbollistët e Realit ishin sërish në qiellin e shtatë, ashtu siç besonin që përpara finales, ndërsa fituan Championsin e tretë radhazi, diçka që tregon sesa larg është bota nga ajo që mund të quhet “demokraci”.

Një klub me status të veçantë, si simbol i Spanjës, jo vetëm i Madridit, po shijon frytet e favoreve historike, favore që joshin futbollistët më të mirë të botës të mblidhen aty ku egoja e tyre mund të kënaqet më lehtë.

Kjo është analiza e duhur e asaj që ndodh në Champions, ndonëse ata që fituan gjykojnë se ishte thjesht zotëria e tyre që vendosi.

Më heroi mes madrilenëve, Gareth Bale, me dy golat e tij, që bëri edhe një paralajmërim për klubin dhe trajnerin Zidan

Gareth Bale: “Po, ky duhet të jetë goli më i bukur i karrierës sime. Në finalen e Championsit, nuk ka skenë më të madhe. I lumtur që fituam. Më vjen mirë që hyra në fushë dhe ndikova tek fitorja, ndërsa vendimet për formacionin i merr trajneri. Gjithsesi, unë kam nevojë të luaj vazhdimisht, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur këtë sezon. Do të bisedoj me agjentin tim dhe do të marr një vendim”.

Trajneri Zidane, barazohet ndërkaq me Bob Pejslin e Karlo Ançelotin, si fitues i tri Ligave të Kampionëve.

Zinedine Zidane: “Është një vazhdimësi. Fitoret tona dhe golat tanë janë pjesë e historisë së Realit. Jam i lumtur me këtë që po bëjmë. Ka qenë kështu edhe kur kam qenë futbollist, edhe tani që jam trajner, është një vazhdimësi. Jam me fat dhe kjo që po bëjmë bashkë me lojtarët e mi është impresionuese”.

Jurgen Klop edhe kishte, edhe nuk kishte shumë për të thënë.

Ekipi i tij u mund paq, por dëmtimi i Salahut dhe gabimet e portierit Karius, nuk e lanë ekipin e tij të luante finalen siç duhej.

Jurgen Klop: “Ne hymë në ndeshje për të luajtur futboll dhe për të fituar, kjo ishte e gjitha. Ne po luanim shumë mirë derisa erdhi momenti me Ramosin dhe Salahun, një moment shumë i keq. Skuadra u godit rëndë nga ajo që ndodhi dhe nuk arriti të mbulonte siç duhet Modriçin e Krosin. Sa për golat që pësuam, çfarë mund të them? Lorisi e di që kjo nuk duhej të ndodhte në finale. Më vjen keq për të, dhe i them se ai sërish ka besimin tim”.

Kapiteni i Realit nuk pati mbrëmjen e duhur prej një kampioni, pasi tifozët drejtuan gishtin te ai pas dëmtimit të Salahut.

“Ramosi e dinte mirë se çfarë po bënte, – shkruan “Anfield Press” në rrjetet sociale, – sërish hile nga Reali”.

“Gjëja më e rëndë ishte se Ramosi nuk mori as karton të verdhë”, – shkruan një tjetër nën emrin Osas Kruz.

“Reali është kaq bastard, – komenton “Ultras 10”, – hile, hile, hile, njeh vetëm këtë. Ramosi e dëmtoi me qëllim Salahun”.

“Ramosi është një nga qeniet më të djallëzuara humane, dhe të kujton se jeta nuk është e drejtë”, – nuk përmbahet Salim Masud Said.

Barrën e përgjegjësisë padyshim duhet ta mbajë arbitri Milorad Maziç, që jo vetëm nuk ndëshkoi Ramosin për dëmtimin e Salahut, por po ashtu nuk mori asnjë masë kur numri 4 goditi me bërryl portierin e Liverpulit, një minutë përpara sesa Karius të shkaktonte vetë golin e parë të Realit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!