“Tifozat Kuq e Zi”: Jemi komb i bashkuar, pasardhësit e një historie të lavdishme

schedule14:34 - 12 Shtator, 2023

schedule 14:34 - 12 Shtator, 2023

Sfida me Poloninë u fitua në radhë të parë nga tifozeria e mrekullueshme që kemi ne, pasi në asnjë moment nuk u ndalën së kënduari në kor për të karikuar ekipin tonë gjatë gjithë lojës. Të udhëhequr nga grupimi “Tifozat Kuq e Zi”, stadiumi ishte një lojtar i 12 dhe tepër i rëndësishëm për kombëtaren tonë.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, TKZ (tifozët kuqezi) shkruan se ata nuk janë thjesht tifozë, por pasardhësit e një historie të lavdishme dhe një familje.

“Me mijëra kilometra të përshkuara nga anëtarët brenda vetëm 4 ditësh tregojnë jo vetëm pasionin dhe ndjenjën e thellë që kemi për tokën dhe kombin tonë, por edhe vullnetin e palëkundur për të bashkuar forcat për dashurinë e vetme, atë të Shqipërisë!

Kur shohim mijëra shqiptarë nga çdo cep i botës që janë mbledhur me qëllimin e vetëm për të përkrahur dhe ngritur lart flamurin tonë, kuptojmë se jemi një komb i bashkuar dhe i palëkundur.

Ne nuk jemi thjesht tifozë, jemi pasardhësit e një historie të lavdishme dhe një familje! Ne jemi Tifozat e Kuq e Zi” – shkruhet në postimin e tifogrupit më të madh në mbështetje të Kombëtares shqiptare./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!