TIRANË– Partia Socialiste ka propozuar datën 11 maj, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2025.
Kjo u konfirmua nga sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, pas konsultimeve që pati me kreun e Shtetit Bajram Begaj.
“Sa i përket datës së zgjedhjeve, në procesin zgjedhor është futur një element i ri, shumë i rëndësishëm, që është vota e emigrantëve. Për të përgatitur sa më shumë këtë proces dhe për t’i lënë më shumë kohë të gjithë emigrantëve që duan të marrin pjesë në të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet politike në Shqipëri. Ne kemi kërkuar, që data 11 maj, si data më e skajshme e mundur nga hapësira që të jep Kodi Zgjedhor, që të jetë data e zgjedhjeve. Do donin shumë që të gjithë emigrantët të fillojnë procesin e tyre të regjistrimit dhe pastaj të përgatitjes së ditës së votimit.”, tha ai për mediat.
Por ndryshe nga partitë e tjera, vetëm Partia Demokratike vendosi të refuzojë ftesën e Kreut të Shtetit duke e cilësuar atë si “të njëanshëm” në këtë proces. Më vonë, Presidenti i Republikës do të presë edhe kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashin./abcnews.al