Ahmet Zani
Kanë kaluar më shumë se dy vjet që tërmeti shembi dhe Spitalin e Laçit. Rreth 70 mijë banorë kanë mbetur pa shërbim spitalor. Afatet për përfundimin e punimeve të spitalit nuk janë respektuar. Duhet të ishte gati qershorin e vitit të kaluar.
“70 mijë banorët e Kurbinit s’kanë shërbim spitalor. Punimet e spitalit të Laçit nisën shumë vonë duke marrë parasysh sa rëndësi ka për një komunitet një spital. Ne nuk e dimë akoma sa do zgjasin punimet kur na tha se do përfundonte për 4 muaj”.
“Thonë do përfundojë po dreqi e di”.
Banorët ndihmë e parë po e marrin në Laç tek ambientet e një qendre humanitare që janë përshtatur në urgjencë. Ndërsa për shërbimet më të specializuar detyrohen të shkojnë në Lezhë dhe Tiranë.
“Vizitat i bëjmë dhe këtu dhe në Lezhë. Shkojmë në Lezhë se këtu është një grup më i vogël mjekësh dhe ambiente”.
Shefi i urgjencës së spitalit të Laçit që po shërben tek ambientet e qendrës së bamirësie thotë se pret me padurim t’ju japë ndihmë të sëmurëve në spital.
“Nëse do më thuhej që do fillosh nesër tek spitali do ju thoja dua të filloj sot. Kemi padurim”.
Punimet për spitalin e Laçit nisën në shkurt të vitit të kaluar dhe duhet të përfundonin pas 4 muaj. Siç duket dhe nga pamjet struktura bazë ka përfunduar po jo punimet e brendshme. Ministria e Shëndetësisë për ndërtimin e spitalit ka alokuar një fond prej 349 miIionë lekë me tvsh. /abcnews.al