Në një kohë që Shqipëria po kërkon krah pune në vendet e treta për të plotësuar nevojat e bizneseve dhe të familjeve ,qeveria ka rishikuar ligjin për të huajt.
Në draft parashikohet përmirësimi dhe saktësimi i formularëve të aplikimit për të gjitha lejet e qëndrimit dhe lejet unike. Ndryshimet synojnë që punësimi i punëtorëve të shtëpisë në Shqipëri të futet për herë të parë në një kornizë të qartë ligjore.
Kjo kategori e veçantë do pajiset me vizë të tipit “D” për punëtor shtëpie e cila përcakton qartë kushtet, kriteret dhe dokumentet e nevojshme për këtë kategori aplikuesish, në funksion të formalizimit të marrëdhënieve të punës dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Kjo ka ardhur si nevojë pasi vitet e fundit, shumë familje shqiptare, kanë punësuar ndihmës shtëpiake dhe kujdestarë, kryesisht nga Filipinet, për kujdesin e fëmijëve, të moshuarve apo pastimin e shtëpive dhe të bizneseve por ky treg ka qenë i parregulluar. Aplikimi kërkohet të bëhet vetëm online nëpërmjet portalit e-Albania
Sipas projektvendimit, punëdhënësi dhe punëmarrësi duhet të deklarojë online të dhëna të detajuara mbi biznesin, pozicionin e punës, pagën mujore bruto, si edhe afatin e kontratës – duke e bërë procesin plotësisht të gjurmueshëm.
Po ashtu është shtuar si dokumenti domosdoshëm certifikata e gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti) të marrë jo më përpara se 6 muaj nga data e aplikimit, për të gjitha llojet e lejeve të qëndrimit përjashtuar për aplikantë nën moshën 16 vjeç dhe mbi moshën 75 vjeç.
Një tjetër ndryshim lidhet me lehtësimin e regjimit të vizave Në këtë mënyrë shtetasit e vendeve të treta, të pajisur me vizë ose leje qëndrimi të vlefshme të lëshuar nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, të përjashtohen nga detyrimi për vizë për hyrje dhe qëndrim në Shqipëri deri në 90 ditë brenda 180 ditëve.
Ndërkohë në draft parashikohet që punonjësit e kualifikuar që do të zgjedhin Shqipërinë për të punuar do të pajisen me leje unike për një periudhë 2-vjeçare nëse në kontratën e punës përcaktohet se paga është minimalisht sa paga mesatare vjetore bruto kombëtare.
Gjithashtu, me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit do të përcaktohet lista e profesioneve për të cilat nuk do të aplikohet ky parashikim.
Leje unike pritet te ketë edhe për punonjësit sezonalë. Aplikimi kërkohet të bëhet vetëm online nëpërmjet portalit e-Albania. Po ashtu edhe Studentet dhe kërkuesit shkencore do të kenë mundësinë më të thjeshtuara për të qëndruar në Shqipëri.


