Thirrje për sanksione më të ashpra ndaj regjimit të Lukashenkos

schedule15:48 - 2 Qershor, 2021

schedule 15:48 - 2 Qershor, 2021

Opozita demokratike Bjelloruse dhe disa qeveri perëndimore bënë thirrje për sanksione më të ashpra kundër regjimit të Aleksandër Lukashenkos pas ndryshimit të detyruar të itinerarit të një avioni ndërkombëtar në fund të majit, për të arrestuar një bloger disident Bjellorus që po udhëtonte me atë avion. Analistët paralajmërojnë se nëse nuk ka një përgjigje të fortë, qeveritë e tjera autoritare në të gjithë botën mund të përdorin të njëjtën taktikë për të arrestuar disidentët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Igor Tsikhanenka sjell më shumë hollësi.

Me uljen e detyruar në Bjellorusi të një avioni civil të kompanisë Ryanair për të arrestuar blogerin opozitar Roman Protasevich, Aleksander Lukashenko indinjoi qeveritë në Evropë dhe përtej Atlantikut.

Zyrtarët dhe ligjvënësit evropianë dhe amerikanë e kanë denoncuar veprimin si rrëmbim.

Michael McCaul është republikan i lartë në Komisionin e Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Është një turp moral ajo që ndodhi. Me këtë rrëmbim të sponsorizuar nga shteti, ai e ktheu vëmendjen e aleatëve tanë të NATO-s ndaj vetes. Mund të ketë sanksione shtesë. Kështu që ai nuk është një një pozicion të favorshëm dhe ka më shumë”, thotë ai.

Por incidenti është një kambanë alarmi mes aktivistëve demokratë bjellorusë, brenda dhe jashtë vendit.

“Sinqerisht kam frikë. Kam vënë re disa herë që dikush po më shikon, dikush po më ndjek, edhe këtu në Vilnius”, thotë Franak Viačorka, Këshilltar Kryesor i Udhëheqëses së Opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya.

Provokimi i frikës duket të jetë pikërisht ajo që donte udhëheqësi bjellorus, thonë analistët.

“Mendoj se është kërcënim, frika se edhe ata mund të përfundojnë në të njëjtën pozitë si Protasevich”, thotë Prof. David Kramer i Universitetit Ndërkombëtar të Floridës.

Për të ndëshkuar Lukashenkon, Evropa ka ndërprerë lidhjet ajrore me Bjellorusinë dhe SHBA tha se do të vendosë sërish masa ekonomike “bllokimi të plotë” ndaj nëntë ndërmarrjeve shtetërore bjelloruse si edhe do të sanksionojë anëtarët kryesorë të regjimit bjellorus.

Por disa thonë se duhet të bëhet më shumë.

“Duhet të kemi një përgjigje shumë më të fortë, sepse Lukashenko po sheh, Putini po sheh, Xi po sheh”, thotë prof. Kramer.

Lukashenko ka qenë edhe më pare subjekt i sanksioneve perëndimore. Ajo që nevojitet tani, sipas aktivistëve demokratikë, është goditja e industrive më fitimprurëse të vendit.

“Ekzistojnë tre sektorë që mbështesin regjimin, të cilët mundësojnë regjimin: petrokimikatet, druri dhe çeliku”, thotë zoti Viačorka.

Aleati më i afërt i Lukashenkos – Vladimir Putin i Rusisë – ofroi menjëherë mbështetje financiare për Bjellorusinë ndërsa akuzoi Perëndimin për hipokrizi.

“Në një rast të mëparshëm ata detyruan uljen e avionit të Presidentit Bolivian. E nxorrën presidentin nga avioni. Dhe asgjë, vetëm heshtje”, tha ai.

Ligjvënësit amerikanë kanë pak dyshime se Putini kishte të bënte me incidentin.

“Kjo ngre shqetësime serioze të politikës së jashtme që shpresoj se Presidenti Biden do t’i ngrejë me Putinin kur të takohet me të”, thotë Kongresmeni McCaul.

Takimi dypalësh midis presidentëve Biden dhe Putin do të zhvillohet në Gjenevë më 16 Qershor./VOA