Thirrja e Trump kundër makinave elektrike, do të anulojë planin e Biden deri në 2030

schedule12:17 - 28 Shtator, 2023

schedule 12:17 - 28 Shtator, 2023

Ndërsa rivalët e tij republikanë u përballën në debatin e dytë televizivë, ish-Presidenti Trump vendosi të mbajë fjalim në një kompani të pjesëve të makinave në Michigan. Vendi që zgjodhi për të mbajtur tubimin nuk ishte i rastësishëm.

Vizita e tij atje pasoi udhëtimin e Presidentit Biden në këtë shtet. Kreu i demokratëve u bë presidenti i parë amerikan në detyrë që i bashkohet një greve të sindikatave, ku kërkohej ndër të tjera promovimi i makinave elektrike.

Trump ka kritikuar ashpër përpjekjet e administratës Biden për të promovuar automjetet elektrike.

Ish presidenti amerikan shprehu shqetësime për ndikimin e këtij tranzicioni, veçanërisht në Michigan, një shtet i rëndësishëm që është baza e industrisë së automobilave të Amerikës.

“Unë nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që industria amerikane e automobilave të vdesë,” deklaroi trump në një kompani të pjesëve automobilistike jo-sindikale në Detroit.

Ish kreu i shtëpisë së bardhë deklaroi se qasja e Biden  për automjetet elektrike do të çonte në humbjen e vendeve të punës, duke përforcuar shqetësimet e disa punonjësve.

“Joe Biden pretendon të jetë presidenti më pro-sindikal në histori. E gjithë karriera e tij ka qenë një akt i tradhtisë ekonomike dhe shkatërrimit të sindikatave. Ai po ju shet në Kinë, po ju shet te ekstremistët mjedisorë dhe të majtës radikale,”

Ai u kërkoi punëtorëve të automobilave që ta mbështesin, duke premtuar se do të ruajë vendet e punës ekzistuese dhe do të krijojë më shumë mundësi.

Administrata Biden ka bërë investime të rëndësishme dhe ka zbatuar ndryshime legjislative për të promovuar adoptimin e automjeteve elektrike, duke rezultuar në investime të konsiderueshme në fabrika dhe objekte të baterive në Shtetet e Bashkuara.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!