“Bashkimi kombëtar është detyrim, futja në Bashkimin Europian është interes kombëtar”. Kjo është vetëm një nga fjalitë e thëna nga Bylbyl Sokoli, trajner i njohur shqiptar nga Dardania, i cili për ABC News ka folur mbi rrezikun e lindjes së një rivaliteti të pakuptimtë mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Përballja e 21-vjeçarëve të martën pa një luftë sportive të madhe, që në sport është e pranueshme. Gjithsesi pasojave do të duhet t’u trembemi.
Sokoli foli fillimisht pikërisht për atë që ndodhi në ndeshje: “Para sfidës pati deklarata të shumta që ishte një vëllazërore. U tha si nga trajnerët, ashtu edhe nga lojtarët. Edhe komentatori i Klan Kosova u shpreh se në shkallët e stadiumit atmosfera ishte po e tillë, vëllazërore. Gjithsesi të gjithë e kemi parë se çfarë ndodh në një ndeshje Tirana-Partizani në Shqipëri, apo në Itali në Roma-Lazio. Ka plot ndeshje të tilla derbi dhe rrezikohet që edhe Shqipëri-Kosovë të kthehet në një ndeshje të tillë. Nuk duhet ta lejojmë”.
Trajneri vijon të flasë dhe tregon se si në kohën e monizmit në vendin tonë, shqiptarët e të dy anëve ishin më të bashkuar, si dhe përcjell mesazhin se të bashkuar mund të arrijmë shumë. “Kam luajtur futboll në Shqipëri në kohën e Enver Hoxhës dhe në atë kohë ishim më homogjen mes njëri-tjetrit. Tani as UEFA e FIFA nuk na ndalojnë të kemi një ligë të përbashkët dhe nuk e bëjmë. Duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë: së bashku mund të shkojmë në çdo Europian e botëror. Së bashku mund të kemi një kampionat më të fortë dhe në një ndeshje Prishtina-Tirana ua them që do të ishin 20 mijë tifozë në stadium. Një treg më i gjerë sjell më shumë mundësi dhe duhet bashkim. Mos të shikojmë që Kosova merr tani disa rezultate pozitive radhazi. Të vetëm, të jeni të sigurt që përfaqësuesja e Kosovës do ta ketë të vështirë. Ndaj duhet që të kemi një kombëtare”.
Sokoli ndihet keq kur sheh që sporti po përdoret nga politika për të krijuar një komb që nuk ekziston. “Edhe Vatikani është shtet, por nuk është komb. As Kosova nuk është komb. Politika, përmes sportit po mundohet të krijojë atë që po e quajnë komb kosovar. Kurrë nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ketë një komb të tillë. Jemi të gjithë shqiptarë dhe të ndarë do u shërbejmë politikave që synojnë kapjen e Kosovës sërish nga Serbia. Ashtu do të jetë më e lehtë për ta”, shtoi trajneri i mirënjohur.
Sigurisht që ka edhe zgjidhje, që të në të ardhmen të mos shohim skena që as në ëndrrat më të këqija nuk i kanë parë ata që kanë luftuar për lirinë e të dy shteteve. “Duhet sensibilizim, duke nisur nga media. Duhet që edhe krerët e federatave të bëjnë takime, konferenca të çdo lloj karakteri, në mënyrë që të gjitha të kuptojnë se jemi një dhe së bashku mund të arrijmë shumë gjëra. Nuk duhet të lejojmë të krijojmë konflikte artificiale mes nesh përmes futbollit. Është momenti të veprohet, qe të shmangen në të ardhmen situata të pakëndshme”, përfundon Sokoli. /abcnews.al