Veprimet e fundit të qeverisë në Prishtinë kanë vënë në vështirësi marrëdhëniet mes SHBA dhe Kosovës. Ish ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie thotë se mosmarrëveshja më e madhe lidhet me zgjedhjet për kryetarët e komunave serbe në veri, ku qeveria Kurti shpërfilli këshillat e SHBA dhe BE.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Delawie deklaron se zyrtarët amerikanë nuk po gjejnë bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, pasi ajo ka vendosur të mos vazhdojë me çështjen e integrimit të serbëve.
“Kjo duket që është arsyeja që ka ngjallur pakënaqësinë dhe reagimin e Uashingtonit. Bashkëpunimi duhet të jetë i dyanshëm. Mendoj që zyrtarët në Uashington nuk po shohin bashkëpunimin e duhur nga qeveria e Kosovës dhe nga këndvështrimi i tyre, ata po përgjigjen në mënyrë të përshtatshme.“, theksoi ai.
Sipas ish ambasadorit amerikan, për të tejkaluar këto tensione me Uashingtonin Kosova duhet të integrojë serbët.
“Mendoj se Kosova do të kishte marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara, me evropianët, sikur të bënte më shumë përpjekje për të integruar serbët e Kosovës në shoqëri dhe të përmbushte përgjegjësitë e saj për të krijuar asociacionin e komunave me shumicë serbe.”, shtoi ai.
Edhe ambasadori amerikan në Beograd ka folur për situatën në Kosovë. Për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Christofer Hill thotë se çështja e krijimit të asociacionit të komunave serbe është urgjente. Hill thotë se pret që në shtator të ketë një përpjekje të re për zgjidhjen e problemeve.
“Shumë njerëz kanë qenë me pushime në gusht dhe kështu do të duhet të shohim se si duket në shtator. Unë besoj se kjo çështje është urgjente dhe se duhet të ketë një përparim në këtë çështje. Mendoj se të paktën ne e dimë se cilët janë përbërësit për një lloj të ardhmeje të qetë. Është shumë e qartë se ne kemi nevojë për një Asociacion të komunave serbe. Është e qartë se Kosova ka nevojë për qasje më të mirë në strukturat ndërkombëtare. Kështu që mendoj se ne në thelb e dimë se çfarë do të përpiqemi të bëjmë. Problemi është t’i bashkosh të gjitha. Është si një mozaik i madh. E hedh në tavolinë, pastaj duhet ta bashkosh. Nuk është e lehtë.“, tha Hill./abcnews.al