Thirret për të dëshmuar Ervin Salianji

schedule10:19 - 12 Tetor, 2018

schedule 10:19 - 12 Tetor, 2018

Mëngjesin e sotëm deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u paraqit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dhënë deklarimet e tij në lidhje me hetimet që po bëhen për llogari të dosjes së njohur si “Babalja”.

Pak ditë më parë, më 5 Tetor, emri i deputetit demokrat është regjistruar si person nën hetim për kallëzim të rremë kryer në bashkëpunim. Nën hetim sëbashku me Salinajin janë dhe Albert Veliu, Fredi Alizoti e gazetari Jetmir Olldashi.

Fredi Alizoti në dëshminë e dhënë në prokurori në datë 1 Qershor të këtij vitit pretendon se Albert Veliu (Babalja), të cilin e njihte prej 20 vitesh, rreth muajve Tetor-Nëntor të vitit 2017, i kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm, por nuk i gjente dot anën, pasi ai nuk e afronte.

Ai thotë se Babalja i kishte ofruar që të bënin një regjistrim ku ai të aktronte sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj. Siç bën të ditur zyrtarisht Prokuroria për këtë shërbim “Babalja”, i kishte thënë që do të merrnin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.

Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që kishte Agron Xhafaj. Sipas deklaruesit, “Babalja” kishte premtuar që do t’i jepte 100 mijë euro dhe se zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me Babalen, ishte i tij.

Por prishja e pazareve dhe fakti që ngjarja mori përmasa të mëdha e shtyu Fredi Alizotin që të paraqitej para autoriteteve për të dhënë dëshminë e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!