Fshati turistik i Funarit i cili ndodhet në bashkinë e Elbasanit ka njohur një rritje të ndjeshme të vizitorëve në vitet e fundit. Ky fshat nga viti në vit ka arritur të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë si vendas ashtu edhe turistë të huaj falë bukurisë natyrore si edhe mikpritjes së ngrohtë që ofron për të gjithë. Fluksi më i madh i turistëve në këtë fshat është gjatë fundjavave kur Funari mbushet me grupe vizitorësh që zgjedhin të kalojnë të paktën dy ditë në natyrën e mrekullueshme të këtij fshati, por është edhe i më i preferuari për të organizuar piknik nga grupet rinore dhe jo vetëm.
Gjelbërimi i natyrës që karakterizon këtë periudhë të vitit bën që kalimi i fundjavës pranë bregut të liqeneve dhe masiveve pyjore të Funarit të jetë një eksperiencë fantastike për ata që e vizitojnë. Mjaft grupe turistësh kishin organizuar piknik në këtë ambient të jashtëzakonshëm duke shijuar ajrin e pastër dhe bukuritë e natyrës. Disa prej turistëve të pranishëm ishin vizitorë për herë të pare të ardhur nga SHBA enkas në këtë fshat turistik dhe treguan se ishin mrekulluar nga peizazhi dhe natyra e paprekur që ofron Funari.
Në Funar pavarësisht interesit të madh për investime në turizëm, aktualisht mungojnë bujtinat, kafenetë, restorantet dhe infrastruktura që kërkojnë turistët për të pasur një eksperiencë më të plotë dhe më komode. Megjithatë, për të realizuar potencialin e plotë turistik është e nevojshme që të bëhen investime të mëdha për të zhvilluar infrastrukturën dhe shërbimet në mënyrë që Funari të bëhet një destinacion turistik edhe më i preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj. / abcnews.al